FOTO / Agon Sinanaj

Rrëfim nga Plemetini: Fëmijët që nuk festojnë ditën e tyre

Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, të miturit e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptas vazhdojnë të  jetojnë në kushte te mjerueshme varfërie, në mes të mungesës së ushqimit, shkollimit, përkujdesit shëndetësor dhe rreziqeve tjera.

Pesë fëmijët e familjes Mekolli nga fshati Plemetin i Obiliqit nuk do të jenë me 1 qershor në sheshin e kryeqytetit për të festuar Ditën Ndërkombëtare të fëmijëve. Për ta nuk do të ketë festë. Përkundrazi, një ditë krejtësisht e zakonshme: sapo do të zbardhë dita, të tre djemtë e Mekollve, më i madhi 12 vjet, bashkë me babain e tyre, do të nisen në kryeqytet për të mbledhur kanaqe. Ndërsa nëna e tyre, Halidja, me dy fëmijët më të vegjël, do ta plakë gjithë ditën e lume, në një shtëpi prej llamarine pak kilometra prej kryeqendrës.

Por për Halidën, datat, shënimi i festave, sikur kjo e 1 qershorit, nuk tregojnë asgjë. Ajo ka vetëm një preokupim: ta sigurojë ushqimin edhe një ditë tjetër për fëmijët e saj. Për të, një ditë e re, është vetëm një ditë më shumë në luftën e rëndë për mbijetesë.

“Pesë fëmijë i kemi, tre punojnë. Më i madhi është 12 vjet. Kanë shku bashkë me burrin me mbledh kanaqe”, e nisë rrëfimin e saj Halidja, derisa tregon me duar gjendjen e rëndë të shtëpisë ku jeton. Një shtëpi prej llamarine, ku mungojnë pothuajse të gjitha elementet për një jetë edhe minimale.

“Nuk kam as maqinë për tesha. Ja shikoje vendin ku jetojmë 7 veta”. Dy fëmijët e vegjël, derisa Halidja vazhdon rrëfimin, ecin këmbëzbathur nëpër oborr. Një pirg me rroba dhe enë të palara të stivuara në njërin nga qoshet e shtëpisë. Një shtëpi e harruar, jo shumë larg kryeqytetit, në të cilën jeton në kushte çnjerëzore Halidja me familjen e saj.

Halidja përpiqet të tregojë me duar se jo shumë larg prej aty, ndodhet një parcelë e ndarë për ta, për ta ndërtuar ‘shtëpinë  e tyre të vërtetë’, të cilën një ditë ajo shpreson se do të bëhet realitet.

“Kemi nevojë njëherë vetëm për një shtëpi. Edhe burri është operu tash, po mirë apet masi po punon me djemtë”.

Asnjëri prej fëmijëve në familjen Mekolli nuk ka shkuar në shkollë. As edhe një ditë të vetme. “Si kam kushtet më la e me shpërla, shkolla don pastërti”, tregon me modesti ajo, derisa fëmijët vazhdojnë lojën në oborr këmbëzbathur.

Afër shtëpisë së familjes Mekolli gjendet kampi i Plemetinit. Aty jetojnë në kushte të mjerueshme dhjetëra familje nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Vit pas viti, që nga paslufta e njëjta gjendje; pa përkujdesje institucionale dhe të harruar nga shoqëria.

“Jemi ashkali”, thotë me mllef Halidja, pa e pyetur askush, si për të dashur të tregojë qoftë edhe në mënyrë të pavetëdijshme, arsyen prapa asaj jetë të vështirë.

Familja Mekolli është njëra prej 24 mijë e 964 familjeve në Kosovë që janë pjesë e Skemës për Ndihmë Sociale. Ndihmën që marrin eshtë 120 euro, e përcaktuar në bazë të numrit të anëtarëve të familjes.

Ndihma sociale në Kosovë sillet prej 60 deri në 180 euro.

Sipas Anketës së Buxhetit të Ekonomive Familjare për vitin 2017 të realizuar nga Banka Botërore dhe Agjensia e Statistikave të Kosovës, është vlerësuar se 17.6 përqind e popullsisë në Kosovë jetojnë në varfëri absolute, me më pak se 1.82 euro për një person të rritur.

Ndërsa 5.3 për qind e popullsisë jetojnë në kufirin e varfërisë së skajshme, me më pak se 1.30 euro në ditë. Në kategorinë e fundit përket edhe familja Mekolli dhe shumë familje tjera që jetojnë në kushte të rënda ekonomike.

FOTO / Agon Sinanaj
FOTO / Agon Sinanaj

 

Të varfër, të  shfrytëzuar e të  rrezikuar

Sipas të dhënave të siguruara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, mbi 50 mijë fëmijë në Kosovë jetojnë në kushtet e varfërisë së skajshme. Ndërkohë varfëria sipas raporteve të ndryshme vendore e ndërkombëtare llogaritet njëri nga shkaktarët kryesor për shfrytëzimin ekonomik të fëmijëve.

“Familjet që potencialisht janë të rrezikuara-atakuara nga varfëria janë: familjet nga zonat rurale, familjet nga komunitetet Rom Ashkali dhe Egjiptas, familjet shumanëtarshe, familjet me shumë fëmijë, familjet me persona të sëmurë, pensionistë e të moshuar, familjet që nuk kanë asnjë të punësuar, familjet me nivel të ulët të arsimimit, familjet me kryefamiljar femër dhe nëna vetushqyese etj”, thuhet në një përgjigje për BIRN, nga Zyra për Informim e Ministrisë së Punës. 

Ndërkohë, gjatë kohës së qëndrimit tek familja Mekolli, ekipi i BIRN ka folur edhe me një fëmijë që erdhi mysafir, Sabedinin. “Mik i familjes”, na u drejtua Halidja, sa për ta prezantuar të sapoardhurin.

“I ka vdekur nëna, jeton vetëm me babain, edhe ky mbledh kanaqe. Kujdesem për të si për fëmijët e mi”, tregon ajo. Sabedini është në moshë mjaft të re; rreth 12 vjeçar, por atij i është dashur ta lërë shkollën për ta siguruar mbijetesën.

“Jetoj vetëm me babën. Nëna më ka vdekur. Katër fëmijë jemi. Me ndihmon kapak mixha, dajtë. Kom qef me shku në shkollë, por, po duhet me punu, lypi nëpër kontenjera”.

Numri i fëmijëve si Sabedini, që detyrohen të punojnë për ta siguruar mbijetesën janë në rritje shpejtë në Kosovë. Sipas konventave ndërkombëtare, fëmijët që detyrohen të punojnë punë të rënda, njihen si të keqpërdorur ekonomikisht. Nga mungesa e mbrojtjes, qoftë nga familja, qoftë nga shoqëria, këta fëmijë janë të ekspozuar ndaj formave të ndryshme të abuzimit dhe rreziqeve tjera.

FOTO / Agon Sinanaj
FOTO / Agon Sinanaj

Raportet tregojnë për rrezikshmëri më të lartë sidomos tek fëmijët që vijnë nga komunitetet joshumicë.

“Mungesa e arsimit rritë dukshëm rrezikun e varfërisë së fëmijëve, dhe si rezultat detyrojnë ata për angazhim në punë. Rreth 17% e fëmijëve nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian janë të angazhuar në punë”, thuhet në raportin “Zbatimi i Strategjisë Sektoriale” të MPMS-së në vitin 2018 i hartuar nga Rrjeti i Kosovës për Arsim dhe Punësim.

“Komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptas” përbëjnë dy përqind të popullsisë së Kosovës – rreth 36,000 njerëz, sipas një regjistrimi të vitit 2011. Ndërsa një studim rreth komuniteteve joshumicë i realizuar vitin e kaluar nga Programi i Zhvillimit të OKB-së, UNDP, zbuloi se 78 përqind e romëve nuk ishin në punësim formal, arsim apo trajnim. Kjo krahasohet me 47 përqind të bashkëmoshatarëve të tyre jo-romë. Shifra ishte më e lartë për gratë e reja rome – 88 për qind.

Ndërkohë, vetëm 10 përqind e romëve mbi moshën 16 vjeç kishin akses në sigurimin shëndetësor.

Në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) nuk kanë qenë në gjendje të tregojnë se sa fëmijë e kanë braktisur arsimin, si pasojë e punës. Shpresa Kokollari, zyrtare në këtë ministri, ka thënë se kjo ministri e ka krijuar një sistem të lajmërimit nga shkollat për fëmijët që e braktisin mësimin. Por numri i saktë nuk dihet pasi lajmërimet nga shkollat nuk po kryhen me rregull.

“Në vitin shkollor 2018/19 janë 128 raste të raportuara në Sistemit të Paralajmërimit të Hershmën, d.m.th. raste të trajtuara nga shkollat, e prej tyre 5 raste janë fëmijë që dhe janë në rrezik të braktisjes ngaqë janë të përfshirë edhe në punë”, ka thënë Kokollari.

Ndërkaq, në një raport të mëhershëm të Bankës Botërore, thuhet se fëmijët kanë më shumë gjasë se të tjerët të jenë të varfër. Shkalla e varfërisë te fëmijët në Kosovë në vitin 2015 ishte 20.7 përqind në krahasim me 17.6 përqind për popullsinë e përgjithshme. Ngjashëm fëmijët kanë më shumë gjasa se të tjerët të jenë në varfëri të skajshme. Shkalla e varfërisë së skajshme e fëmijëve ishte 6.6 për qind në krahasim me 5.2 për qind sa është për popullsinë e përgjithshme.

FOTO / Agon Sinanaj
FOTO / Agon Sinanaj

Për numrin e saktë të fëmijëve lypsarë dhe atyre që bëjnë punë të rënda, mungojnë të dhënat e sakta. Mëgjithatë, në Policinë e Kosovës kanë thënë se gjatë vitit 2018 kanë identifikuar gjithësej 127 fëmijë që vërtiten rrugëve, ndërsa në 5 mujorin e parë të këtij viti 2019 janë identifikuar 20 fëmijë.

“Këta fëmijë janë hasur qoftë duke kërkuar lëmoshë apo kryer punë tjera si pastrim të xhamave të veturave apo duke mbledhur hekurishte të ndryshme”, thuhet në një përgjigje të Policisë. Për këto raste janë ngritur 41 kallëzime penale për  veprën  keqtrajtim apo braktisje e fëmijës, kundër prindërve të këtyre fëmijëve.

Bazuar në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, 10.7 përqind e fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në punë të rënda, ndërsa 6.8 përqind e tyre janë duke punuar në kushte të rrezikshme. Në të njëjtën kohë, të dhënat e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale tregojnë se në vitin 2016, shteti ka identifikuar, në nivel vendi, vetëm 62 raste të fëmijëve të përfshirë në punë.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, i ka thënë BIRN-it se  situata aktuale e fëmijëve në situatë rruge në Kosovë dhe mungesa e trajtimit nga institucionet përbën shkelje serioze të të drejtave të njeriut. Në këtë rast të të drejtave të fëmijëve, përkatësisht shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, standardeve ndërkombëtare dhe legjislacionit përkatës në fuqi.

“Avokati i Popullit konsideron se institucionet e Kosovës do të duhej të kishin bërë më shumë për ta parandaluar, trajtuar dhe adresuar në mënyrë adekuate çështjen e fëmijëve në situatë rruge, meqë gjatë viteve ky fenomen nuk ka pësuar rënie”, ka vlerësuar Jashari.

FOTO / Agon Sinanaj
FOTO / Agon Sinanaj

Të vegjël e pa mbrojtje ligjore

Gjendja e fëmijëve me situatë rruge, sot është një problem global. Globalisht, 700 milionë fëmijëve u është ndërprerë fëmijëria, thuhet në një raport të organizatës “Save the Children.  

“Fëmijëritë në mbarë botën po ndërpriten për shkak të shëndetit të ligë, ekspozimit ndaj dhunës dhe luftës, martesës së hershme, shtatzënisë adoleshente, ose nga detyrimi për t’u larguar nga shkolla për të filluar punën”, thuhet në raportin “Ndërprerja e hershme e fëmijërisë e më shumë se 700 milionë fëmijëve”.

Kosova në raport me vendet e rajonit qëndron më keq sa i përket mbrojtjes së fëmijëve. Sipas “Save the Children” Kosova në krahasim me vendet e rajonit ka shkallën më të lartë të vdekshmërisë së fëmijëve nën moshën 5 vjeç.

Kosova vazhdon të mos ketë Ligj për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Në mungesë të ligjit përkatës, organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, thonë se është parë e nevojshme që të bëhen disa rregullore nëpër komunat e Kosovës, dhe të nisë zbatimi i tyre, meqë Ligji për fëmijët pritet të aprovohet së shpejti.

Klevis Vaqari nga Koalicioni për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), thotë  se rregulloret komunale për të drejtat e fëmijëve, të cilat janë aprovuar tashmë në 7 komuna të Kosovës, përfaqësojnë vizionin e këtyre komunave për të qenë komuna mike për fëmijë, në kuptimin e garantimit të të drejtave dhe mbrojtjes së tyre.

“Ndërkohë që me rregullore të aprovuara, komunat kanë ndërmarrë një zotim që të gjitha institucionet komunale dhe profesionistët me mandat për mbrojtje të fëmijëve, të koordinohen dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet për ofrim të shërbimeve për këta fëmijë”.

FOTO / Agon Sinanaj
FOTO / Agon Sinanaj

Ndërkaq, raporti “Zbatimi i Strategjisë Sektoriale të MPMS-së”, krahas mungesës së bazës ligjore, në Kosovë ka identifikuar një mori problemesh tjera, të fëmijëve në situatë rruge.

“Aktualisht, mbrojtja e fëmijëve përfshihet në Ligjin për Shërbime Sociale, si pjesë e mbrojtjes së fëmijëve, që nuk është e mjaftueshme. Buxheti i caktuar për mbrojtje sociale nuk ka ndarje specifike për mbrojtjen e fëmijëve, për shkak se ende mungon adresimi i Grantit Specifik i cili do të përmbante informata specifike për secilën kategori në nivel komunal”, thuhet në raport.

Sipas këtij raporti, në Kosovë 11 për qind e fëmijëve 5-17 vjeç janë të përfshirë në punësim. Rreth 12 për qind e fëmijëve të cilët nuk ndjekin shkollën, janë të angazhuar në punësim dhe burrat kanë më shumë të ngjarë të jenë të punësuar.

“Sfidë është numri i fëmijëve të cilët kërkojnë lëmoshë në rrugë dhe mbledhin kanaqe nga kontejnerët, i cili numër, sipas raportimeve të Avokatit të Popullit, është në rritje e sipër”.

Po ashtu, mos ndërtimi i qendrave ditore paraqet pengesë edhe për trajtimin e këtyre fëmijëve, pasi që nuk ka shërbime të veçanta, rehabilituese dhe ri-integruese që do të ndihmonin këta fëmijë të ri-socializohen, arsimohen dhe të inkuadrohen me moshatarët e tyre për zhvillim të mëtutjeshëm.

“Në Kosovë nuk ka qendra speciale të mëdha banimi për fëmijët pa përkujdesje prindërore, gjë që rrit rrezikun e mos arsimimit të këtyre fëmijëve, dhe punësimin e parakohshëm të tyre në punë të rënda. Kujdesi për këta fëmijë përqendrohet në ofrimin e kujdesit alternativ për fëmijët, si kujdesi nga farefisi, strehimi familjar, dhe kujdestaria”.

Mungesës së këtyre qendrave dhe përkujdesjes së shtetit po ua shohin sherrin shumë fëmijë sikurse Sabedini. Atyre po u ndërpritet rritja normale. Nevojën e tij për ndihmë shtetërore dhe mungesën e empatisë shoqërore nuk mund ta shpreh asgjë më mirë se kjo fjali e tij: “Kur kam qenë në shkollë më kanë shajt, edhe nuk kom shku mo”.

FOTO / Agon Sinanaj
FOTO / Agon Sinanaj

Childhood interrupted: a story from Plemetin