Objekti i banimit social në Plemetin - Foto: KALLXO.com

Pas Rregullimit të Kulmit, Banorët e Plemetinit Kërkojnë Kushte më të Mira Jetese

Përfaqësues të komunitetit ashkali thonë se kushtet e banimit në banesat sociale në Plemetin të Obiliqit vazhdojnë të jenë të vështira, pavarësisht rregullimit të çatisë.

Komunitetet ashkali, rom dhe egjiptas përbëjnë shumicën dërmuese të banorëve të këtij objekti.

Familjet në këto objekte përballen me kushte të vështira në aspektin e banimit. Ata kanë probleme edhe me papunësinë.

Bajrush Berisha, anëtar i këshillit të banesave sociale, i përshkruan kushtet e banimit në këto banesa kolektive si “katastrofale”.

Ai shton se furnizimi me ujë është i kufizuar dhe se kanë probleme edhe me kanalizim.

“Uji, si në dimër ashtu edhe në verë, vjen deri në katin e tretë. Por, kati i katërt, i pestë e i gjashtë kurrë nuk kanë pasur ujë. Fëmijët e këtyre ndërtesave lodhen duke bartur ujë (me kova)”, tha ai.

Rregullimi i kulmit ishte bërë pasi Misioni i OSBE-së në Kosovë kishte organizuar një mbledhje urgjente me ambasadat, donatorët dhe komunën e Obiliqit në tetor të vitit të kaluar, pas një vizite të shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, tek objekti në fjalë për të parë shkallën e dëmeve.

“Ndihem i lehtësuar që po shoh përfundimin e riparimit të kulmit. Banorët e objektit, shumica e të cilëve të papunë, kanë jetuar në kushte të mjerueshme. Gjatë javëve në vijim, do të organizojmë një takim tjetër për t’i adresuar problemet e shkaktuara nga rrjedhjet dhe lagështia, si kanalizimi, uji dhe energjia elektrike”, tha Ambasadori Braathu para 10 ditëve kur u ndërtua kulmi i kësaj banese kolektive.

Ndonëse kushtet e banimit janë shqetësim për banorët, kushtet ekonomike dhe shkalla tejet e ulët e punësimit vazhdojnë të jenë shqetësim i përfaqësuesve të komunitetit ashkali.

Faton Beka, kryetar i degës së Partisë Demokratike të Ashkalive të Kosovës (PDAK) në Obiliq thotë se Plemetini është fshati më i varfër e i papunë në gjithë komunën.

“Mund të them që i vetmi fshat, ku ka më shumë komunitete, me një gjendje të tillë ekonomike. Ata detyrohen të dalin për të mbledhur skrap në kontejnerë (të mbeturinave) në rrugët e Prishtinës apo gjetiu”, tha ai.

“Sa i përket gjendjes ekonomike e sociale janë aq të varfër saqë asnjë nuk është i punësuar. Të gjithë varen prej ndihmave sociale, por ka edhe prej atyre që nuk janë aspak përfitues të ndihmave. Kush nuk merr ndihma është mosha mbi 25 vjet dhe personat e paregjistruar (pa dokumente). Te fëmijët i kam evidentuar 26 raste dhe ia kam përcjellë këto të dhëna organizatave respektive”, shtoi Beka.

Ky i fundit tha për KALLXO.com se UNHCR bashkë me Komunën e Obiliqit është duke punuar për t’i pajisur këta të fundit me dokumentacion.

Komuniteti ashkali të martën e ka pasur festën e vet kombëtare.

Për hir të kësaj feste. kryeministri Ramush Haradinaj është takuar me përfaqësues të partive të ashkalive.

Ndërsa dje, Zyra e Kryeministrit e ka organizuar tryezën “Zotimi i politikave dhe përfshirja e komuniteteve rom dhe ashkali në shoqërinë kosovare”, ku Haradinaj ka deklaruar se ka vizion i cili do t’i bëjë “romët, ashkalinjtë e Kosovës të jenë të barabartë, aktivë, pjesëmarrës në jetën shoqërore dhe politike”.

Kryeministri nuk e ka lënë pa e përmendur edhe çështjen e banimit dhe punësimit.

“Kryeministri Haradinaj theksoi disa nevoja të cilat janë të domosdoshme për këtë komunitet, si, çështja e banimit, edukimit, punësimit, trajtimi shëndetësor, të cilat do të trajtohet me kujdesin më të madh”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.