Bahtiri reagon ndaj Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës për ‘kolonizimin e veriut’

Kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri ka shkruar se mbi 13 mijë shqiptarë të dëbuar me dhunë nga veriu i Kosovës, e veçanërisht nga pjesa veriore e Mitrovicës, akoma nuk janë kthyer në shtëpitë e tyre, duke jetuar si refugjatë në pjesën jugore të qytetit dhe qytete tjera të Kosovës.

Sipas Bahtirit kthimin e tyre për 20 vite me radhë e penguan strukturat kriminale serbe.

“Për kthimin e shqiptarëve në veri është folur shumë edhe nga BE-ja, por asgjë nuk është bërë. Për më keq në veri ka nisur një projekt prej disa milionë euro i ashtuquajtur ‘Kthimi i qëndrueshëm – mbështetja dhe fuqizimi’, të cilin e financon Bashkimi Evropian, e që ka për qëllim kthimin e serbëve, por që realisht sikur edhe deri më tash do të kthehen serbë që asnjëherë nuk kanë jetuar në Kosovë, por të tillë që kanë probleme me banim në Serbi për shkak se janë me origjinë nga vendet tjera të ish Jugosllavisë”, ka shkruar Bahtiri në rrjetin social Facebook.

Bahtiri shtoi se përmes këtij projekti do të vazhdoj kolonizimi i veriut me serbë nga Bosnja, Kroacia dhe Serbia, për ta ndryshuar strukturën etnike në këtë pjesë të Kosovës.

“Kjo është e turpshme, e pa tolerueshme dhe duhet të parandalohet. Po ashtu fajtore për situatën e krijuar është edhe Qeveria e Kosovës, ministritë e së cilës të udhëhequra nga Lista Serbe kanë investuar miliona në veri për kthimin e serbëve, por që faktikisht përmes këtyre investimeve synohet kolonizimi i veriut tha Bahtiri.

Ai i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që mos t’i mbyll sytë përballë kësaj situate të krijuar sa nuk është bërë vonë.