Foto: KALLXO.com

Ish-objekti i barnatores në sheshin e Mitrovicës u tjetërsua për 503 euro për metër katror

Komuna e Mitrovicës së Jugut në kohën kur udhëhiqej nga Agim Bahtiri e kishte tjetërsuar ‘Barnatoren e qytetit’, e cila gjendet në sheshin kryesor të qytetit, me një çmim prej 503 euro për metër katror.

324 metra lokal në sheshin e qytetit të Mitrovicës ishin vlerësuar me çmimin e përgjithshëm prej 163 mijë e 220 euro. Vlerësimi ishte bërë me qëllim që e njëjta pronë të ndërrohet më një pronë private me sipërfaqe të njëjtë, për të mundësuar hapjen e rrugës së re “Ali Zeneli”.

Rruga “Ali Zeneli” në Mitrovicë

Vendimi për tjetërsim të pronës ishte marrë nga Asambleja, me propozim të ish-kryetari të Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri. Ai më datën 20 tetor 2020 e kishte drejtuar kërkesën në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Jugut për këmbim të pronës. Kuvendi komunal e kishte miratuar propozimin 9 ditë më vonë.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Bahtiri kishte thënë se nuk ka njohuri për këmbimet e pronave edhe pse mundet me pas nënshkrimin në kërkesat e dorëzuara në Kuvendin Komunal. Ai përgjegjës i bën vartësit e tij.

KALLXO.com ka zbuluar se pronari i ri i barnatores, Idriz Sadiku, e kishte blerë shtëpinë me oborr prej 535 metra katrorë në rrugën “Ali Zeneli” në vitin 2019, nga një qytetar serb për 120 mijë euro. Shtetit ai ia ka dhënë vetëm 324 metra katrorë truall për të mundësuar hapjen e rrugës së re.

Sipas kontratës së noterizuar tek një noter në Mitrovicë, prona deri më 4 dhjetor 2019 figuronte në emrin e një serbi, i cili me dëshirën e tij ia kishte shitur pronën dhe shtëpinë që gjendet në rrugën “Ali Zeneli” pronarit të ri. Sadiku e kishte blerë këtë pronë 11 muaj para se Komuna e Mitrovicës së Jugut të kërkonte këmbimin e saj me ‘Barnatoren e qytetit’.

Prona e Sadikut ishte vlerësuar me 490 euro për metër katror, apo 158 mijë e 760 euro për 324 metra katrorë. Duke qenë se prona komunale në sheshin e Mitrovicës ishte vlerësuar me çmimin e përgjithshëm 163 mijë e 220 euro, Sadiku ishte obliguar të paguaj 4 mijë e 460 euro në KESH si kundërvlerë e vlerësuar nga Departamenti i Tatimit në Pronë.

Idriz Sadiku, pronari i ri i objektit të njohur me parë si “Barnatorja shtetërore” ka thënë se Komuna e Mitrovicës ka pasur interes më shumë se sa vet ai për shkak të hapjes së rrugës.

“Interesi ka qenë i komunës për hapjen e një rruge andaj të gjitha procedurat tjera janë kryer në mënyrë të rregullt nëpërmjet Komunës dhe Ministrisë andaj nuk kam çka me thanë ma shumë”, tha Sadiku.

Ndërsa i pyetur për historikun e pronës se si ndodhi që vetëm disa muaj para këmbimit, prona në rrugën “Ali Zeneli” nga një serb të kalojë në emër të tij, Sadiku u përgjigj.

“Prona ka qenë e jona por që nuk ka qenë e përkthyer me herët”, theksoi ai.

Njëjtë si prona komunale në të cilën ka qenë ‘Barnatorja e qytetit’ ishte këmbyer edhe prona në të cilën ka qenë ‘Biblioteka e qytetit’.

Javën e kaluar emisioni #KallxoPernime ka publikuar hulumtimin “Biznesi me prona”, i cili ka zbardhur skenat që ishin përdoruar nga Komuna e Mitrovicës, për t’i privatizuar pronat shtetërore në Mitrovicë.

Me pretekstin për hapjes e rrugës “Ali Zeneli”, udhëheqja e Mitrovicës në vitin 2020 dhe 2021, kishte lejuar që pronat shtetërore të jepen me çmime shumë të ulëta krahasuar me vlerën e tregut, sa shitet një metër katror në sheshin e Mitrovicës.

Vendimi për këmbimin e pronës

Hulumtimi i KALLXO.com kishte zbardhur se 139 metra katrorë të ish-objektit të Bibliotekës në Mitrovicë ishin vlerësuar me 900 euro për metër katror, pra 139 metra katrorë ishin vlerësuar me çmimin e përgjithshëm prej 125,100 euro.

Komuna kishte marrë nga një familje 102 metra katror në rrugën Ali Zeneli.  Prona në rrugën “Ali Zeneli” ishte vlerësuar me 490 euro për metër katror, pra 102 metra ishin vlerësuar me çmimin e përgjithshëm prej 49,980 euro. Për ta marr pronën e komunës, familja kishte paguar edhe ndryshimin prej 75 mijë e 120 euro.

Pas emisionit pati reagime të shumta të qytetarëve posaçërisht në Mitrovicë rreth këtyre vendimeve të komunës por prokuroria ende nuk ka njoftuar se kanë ndërmarrë ndonjë veprim rreth këtyre pretendimeve.

Hulumtim: Si u privatizua objekti i ish-Bibliotekës në Mitrovicë