Azem Syla në gjykimin e LImajt| Foto: KALLXO.com

Azem Syla në Gjykimin e Limajt për Krime Lufte

Azem Syla që edhe vetë po gjykohet në Rastin “Toka” për krim të organizuar, sot është paraqitur në një gjykatë tjetër- atë të Gjakovës si dëshmitar.

Syla po dëshmon në gjykimin e zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj për krime lufte në lidhje me vrasjen e dy civilëve në zonën e Malishevës.

Syla dëshminë e tij po e jep në cilësinë e e ish-komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përveç Sylës, sot në procesin kundër Limajt pritet të dëshmojnë edhe Naim Maloku e Sokol Dobruna.

Dje në gjykimin për për vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit më 2 tetor 1998 dëshmuan edhe dy ish-anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së: Rexhep Selimi dhe Bislim Zyrapi.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 28 tetor të vitit 2016 ngriti aktakuzë ndaj Limajt lidhur me vrasjen e dy civilëve shqiptarë gjatë luftës.

Aktakuza e ngarkon të pandehurin Fatmir Limaj se si pjesëtar i UÇK-së dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.

Sipas Prokurorisë Speciale Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, komuna e Malishevës, më 2 tetor 1998 janë marrë në afërsi të xhamisë së fshatit Bellanicë dhe janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari.

Prokuroria në aktakuzë pretendon se Fatmir Limaj i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer, mirëpo me vetëdije nuk ka ndërmarr masa drejt zbulimit të kryesve të këtij krimi dhe rastin asnjëherë nuk e ka paraqitur te organet kompetente për hetim dhe ndjekje.

http://kallxo.com/aktakuze-per-krime-lufte-ndaj-fatmir-limajt/