Aparate të lojërave të fatit | Foto: KALLXO.com

ATK mbyll një lokal të lojërave të fatit

Administrata Tatimore e Kosovës ka mbyllur një lokal në Komunën e Graçanicës në të cilin janë organizuar lojëra të fatit pa licencë.

Departamenti i Lojërave të  Fatit në ATK, mbrëmë ka ndërmarrë një aksion në fshatin Gushtericë e Ulët të Komunës së Graçanicës, në bazë të informacioneve të pranuara se në këtë vend dyshohet se organizoheshin lojëra të fatit pa licencë, si dhe aktivitete të tjera të ndaluara me ligj.

“Njësiti Kundër Krimit dhe Korrupsionit ka gjetur se në këtë vend është zhvilluar veprimtaria e kazinosë, me ç ‘rast është konfiskuar tavolina e pokerit, çipat (kartat) e dy valixheve, si dhe është ndëshkuar personi përgjegjës i lokalit me 30, 000 euro për ushtrim të veprimtarisë së kazinosë pa licencë të ATK-së”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

ATK-ja ka njoftuar se në të njëjtin lokal është ushtruar veprimtaria e bastoreve, ku inspektorët kanë gjetur si dëshmi billdenat dhe tiketat e shtypura.

“ ATK ka lëshuar gjobë në vlerë 2000 euro, ka konfiskuar pajisjet e gjetura, si dhe ka mbyllur lokalin. Totali i gjobave të shqiptuara gjatë këtij aksioni kap vlerën e 32.000 eurove”, njofton ATK-ja.

Ndaj personave përgjegjës për këtë rast, do të ndiqen procedure penale, konform legjislacionit në fuqi.

ATK u ka bërë thirrje qytetarëve të raportojnë rastet kur dyshojnë për ushtrim të jashtëligjshëm të veprimtarisë së lojërave të fatit.

KALLXO.com shkroi edhe për raste tjera të aksioneve të ATK-së ndaj subjekteve të lojërave të fatit.