Policia e Trafikut - Foto: KALLXO.com

Ata që nuk i posedojnë pajisjet e dimrit gjobiten me 40 euro

Reshjet e borës kanë shtyrë Policinë e Kosovës që të intensifikojë aksionin për t’i kontrolluar ngasësit e veturave nëse kanë pajisjet dimërore.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, Policia ka shqiptuar mbi 900 gjoba trafiku.

Dalja në komunikacion gjatë stinës së dimrit pa pajisje dimërore mund të jetë e rrezikshme.

Për këtë Policia e Kosovës gjatë javës së kaluar ka filluar aksionin për t’i kontrolluar shoferët nëse janë përgatitur për fillimin e sezonit dimëror, ku me ç`rast ngasësit në komunikacion janë të detyruar që në automjetet që i drejtojnë t`i kenë pajisjet e nevojshme.

Disa prej tyre nuk ishin të përgatitur, ani pse bora e parë tashmë ka rënë.

Ata që nuk i poseduan këto pajisje u dënuan në vlerë prej 40 euro.

Por kishte edhe nga ta të cilët policia i gjeti mirë të përgatitur.

Policia e Kosovës thotë se deri më tani po vërehet një kujdes më i shtuar i qytetarëve sa i përket këtyre pajisjeve të nevojshme. Megjithatë ata u bëjnë thirrje ngasësve të jenë të pajisur mirë për këtë sezon./RTK