Muri në veri

Asamblistët Joshumicë të Pavendosur për Mbledhjen Rreth Murit

Asamblistët e komunitetit joshumicë ende nuk kanë vendosur nëse do të marrin pjesë në mbledhjen e jashtëzakonshme të Asamblesë së Mitrovicës Veriore.

Një mbledhje e jashtëzakonshme e kësaj asambleje është ftuar për sot më fillim në orën 13:00, ndërsa në të do të diskutohet rreth shëtitores përtej urës së Ibrit dhe rreth marrëveshjes për murin të arritur në mes të autoriteteve të Mitrovicës Veriore dhe atyre qendrore.

Qeveria e Kosovës njoftoi sot në orën 2:00 të mëngjesit se ka arritur një marrëveshje rreth murit të ndërtuar në veri në fillim të dhjetorit 2016.

Por Gëzim Alushi, asamblist i AAK-së në Kuvendin Komunal të Mitrovicës, pasi tregoi se para pak çastesh asamblistët kanë marrë ftesën për mbledhje të jashtëzakonshme, tha se ende nuk është vendosur a do të marrin pjesë në të.

Alushi tha se asamblistët e komunitetit joshumicë janë duke diskutuar në lidhje me pjesëmarrjen ose jo në këtë seancë.

“Siç na njoftuan do të diskutohet për murin dhe shëtitoren. Ende nuk kemi marrë vendim a do të marrim pjesë a jo. Sigurisht që edhe nuk do të votojmë. Kjo mbetet të shihet,” tha Alushi.

Kuvendi i Kosovës më 29 dhjetor miratoi një rezolutë që deri më 31 janar muri i ndërtuar në Mitrovicë të rrënohej.

Por edhe pse liderët kryesorë të vendit premtuan këtë rrënim, ai nuk ndodhi.

KALLXO,com sot në krypometër, produktin e matjes së deklaratave publike, i konsideroi gënjeshtra fjalët e liderëve për rrënimin e murit.