Deklarimi i Presidentes Osmani për peticionin në Mitrovicën Veriore dhe Leposaviq

Sot ka nisur mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq dhe atij të Leposaviqit, Lulzim Hetemi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se një nismë e tillë është e drejtë që u takon qytetarëve.

“Siç e dini ligjet e Republikës së Kosovës lejojnë një procedurë të tillë e cila pastaj është specifikuar edhe në Udhëzimin Administrativ të miratuar së fundmi nga ministria përkatëse. Pra është një e drejtë që u takon qytetarëve të të gjitha komunave. Rrjedhimisht në këtë rast, qytetarët e komunave në veri të vendit janë duke e shfrytëzuar këtë të drejtë”- tha ajo.

Osmani këtë deklaratë e bëri  pas homazheve para bustit të Kadri Zekës në Prishtinë.

“Është me rëndësi të respektohen procedurat por si shtet demokratik që jemi që i respektojmë të drejtat e gjithë qytetarëve tanë pa dallim etnie, natyrisht edhe kjo e drejtë duhet të respektohet”- theksoi Osmani para mediave.

Më datë 15 janar, Kuvendi Komunal i Mitrovicës Veriore ka miratuar kërkesën e grupit iniciatorë serb për nënshkrimin e peticionit për shkarkimin e kryetarit.

Erden Atiq u zgjodh kryetar i kësaj komune në prill të vitit të kaluar në zgjedhjet që u mbajtën në katër komunat veriore të Kosovës. Ai pozitën që e fitoi e mori zyrtarisht më 19 maj 2023, pas betimit që ai bëri.

Disa muaj më vonë, më 13 tetor 2023, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ndryshoi qëndrim duke njoftuar se do të marrin pjesë në zgjedhjet e paralajmëruara në katër komunat veriore.

Zgjedhjet e 23 prillit në të cilat katër komunat – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan e Leposaviq – u fituan nga kryetar shqiptarë, u bojkotuan nga Lista Serbe.

Mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit Atiq – FOTO