Valon Hoti, asamblist i VV-së ë Malishevë, i arrestuar sot nga Policia.

Arrestohet Asamblisti i VV-së në Malishevë

Një anëtar i asamblesë komunale të Malishevës është arrestuar sot në oborrin e ndërtesës së komunës.

Komuna e Malishevës ka konfirmuar se asamblisti Valon Hoti është arrestuar nga dy pjesëtarë të policisë në rroba civile gjatë një pauze të seancës së asamblesë komunale.

Arrestimi i Hotit ka shkaktuar ndërprerjen e seancës së asamblesë dhe reagimin e kryesuesit të asamblesë komunale, Aziz Thaçi.

Veprimin e policisë, Thaçi e quajti “cenim të integritetit të Kuvendit të Komunës, pasi Hoti është i zgjedhur me votat e qytetarëve”.

“Kjo sallë, është vend pune për ne. Ne e respektojmë ligjin dhe drejtësinë, dhe jemi për zbatim të ligjit, por mendoj se një arrestim i tillë, në oborr të kuvendit, është jo në rregull dhe jo i mirë”, tha Aziz Thaçi.

Arrestimin e Valon Hotit e ka konfirmuar edhe Lëvizja vetëvendosje në Malishevë.

Bekim Gashi nga ky subjekt politik tha për KALLXO.com se arrestimi i Hotit është i lidhur me aktivitetin e tij politik.

“Arrestimi i tij lidhet me pjesëmarrjen në protesta në Prishtinë”, tha Gashi.