Foto: Ilustrim

Arrestohen Tre të Dyshuar për Shitblerje Narkotikësh

Policia në Gjakovë arrestoi tre persona nën dyshimin për shitblerje narkotikësh dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas komunikatës së policisë në Gjakovë, aksioni i forcave të rendit për arrestimin e të dyshuarve ndodhi pa një pune hetimore.

“Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë dhe Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar pas një pune hetimore dhe një plani veprimi, kanë realizuar një operacion policor në rajonin e Gjakovës,” thuhet në një komunikatë të lëshuar nga kjo drejtori.

Operacioni policor është realizuar nën dyshimin e bazuar se në një lokacion po bëheshin shitblerje të substancave të ndryshme narkotike, ku gjatë operacionit është arritur që në një rrugë të Gjakovës të arrestohen tre të dyshuar, të cilët ishin duke shkëmbyer substanca të ndryshme të narkotikëve, thuhet më tutje në komunikatë.

Drejtoria kundër trafikimit  njofton se janë bastisur edhe shtëpitë dhe veturat e të arrestuarve., ndërsa janë konfiskuar edhe armë e drogë e makina.

“Janë konfiskuar 1 Revole e kalibrit 6.35 mm me një karikator, 3 fishekë, 1 revole EKOL SPECIAL 7.65, një karikator dhe 4 fishekë, 1 thikë ushtarake ngjyrë e zezë, 1 shufër metalike , 1 elektroshok i zi me mbushës, dy vetura, 5 telefona mobilë, 30.5 euro, 90 gramë marijuanë, 10.8 gramë substancë e dyshuar heroinë, dy shishe me ‘Metadon’ në formë të lëngët me ngjyrë të kaltër, një pako me tableta ‘Heptanol’, 215 fara të kanabisit, 1 tabletë e bardhë që dyshohet të jetë narkotik i panjohur,” shpjegon komunikata

Policia thotë se të arrestuarit dyshohen për veprat penale blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar  e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analog dhe mbajtje në pronësi, kontroll apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve ose municionit

Të dyshuarit e arrestuar janë: J. K. lindur me 1984,L. A. lindur me 1992 dhe  A. F. lindur me 1989.

Me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Themelore tre të dyshuarve u është caktuar ndalimi policor për 48 orë, kurse rasti vazhdon të hetohet nga Njësiti i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë-Gjakovë në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë dhe Departamenti Kundër Krimit të Organizuar në Prishtinë.