Foto: Ilustrim

Arrestohen 4 të Dyshuar për Trafikim me Njerëz

Gjatë një operacioni në veri të vendit, Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona, të cilët dyshohen për veprat penale trafikim me njerëz dhe shërbime seksuale të viktimës së trafikimit.

Po ashtu, gjatë këtij operacioni, i cili është ndërmarrë bazuar në informata dhe prova të siguruara nga hetuesit policorë, është identifikuar një viktimë e trafikimit me qenie njerëzore.

Personat e arrestuar në këtë rast janë: F.R., O.K., M.Z., dhe K.B.

Policia e Rajonit të Mitrovicës Veriore njofton pas informacioneve të mbledhura pas një pune operative hetimore në terren hetuesit policorë kanë arritur të lokalizojnë vendqëndrimin e viktimës, që është shtetase e Republikës së Kosovës, e cila ishte mbajtur nën kontroll të plotë nga të dyshuarit tashmë të arrestuar.

Dy të dyshuarit e parë, me qëllim përfitimi personal e kanë detyruar viktimën të kryente shërbime seksuale me persona të ndryshëm me pagesë. Kurse i dyshuari i tretë dhe i katërt janë arrestuar për veprën penale shërbime seksuale të viktimës së trafikimit.

Lidhur me këtë rast është njoftuar mbrojtësi i viktimave dhe në prezencë të tij është intervistuar viktima, e cila më pas është dërguar në shtëpinë e sigurt dhe është duke u trajtuar sipas procedurave standarde për ndihmë dhe mbrojtje të viktimave.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe me vendim të tij dy të dyshuarit e parë ndalohen për 48 orë ndërsa dy të dyshuarit e tjerë lirohen në procedurë të rregullt.