Arkivole të Hapura në Varrezat e Dëshmorëve në Kaçanik

Kur shikohet nga larg, memoriali i dëshmorëve të Kaçanikut duket si njëri ndër më të rregulluarit në Kosovë.

Por, në pjesë të caktuara të këtij memoriali mund të hasen arkivole të hapura, mbeturina të grumbulluara, ndriçimi i prishur dhe pllakat e betonit të dëmtuara rëndë.

Për gjithë këtë gjendje Hajrush Kurtaj, kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Kaçanikut, e bën përgjegjës Komunën.

“Gjendja nuk është e mirë, Komuna do të duhej ta angazhojë dikë që në mënyrë të përhershme kujdeset për memorialin dhe jo vetëm në raste kur ka manifestime përkujtimore”, tha Kurtaj për KALLXO.com.

Në anën tjetër, në Komunën e Kaçanikut thonë se mirëmbajtjen e memorialit e bëjnë kohë pas kohe.

“Është e vërtetë se nuk kemi mirëmbajte të përhershme por memorialin e mirëmbajmë kohë pas kohe e sidomos në rastet kur kemi ndonjë manifestim”, tha për KALLXO.com, Hajrush Dullovi, zëdhënës i Komunës.