Apeli Rrëzon Ankesën e Shërbimit Spitalor

Gjykata e Apelit vërtetoi vendimin e gjykatës themelore në lidhje me ankesën e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK) për tenderin “Pastrimi i Brendshëm i Hapësirave Spitalore”.

ShSKUK-ja ishte ankuar në lidhje me një gjobë që iu shqiptua nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, por Gjykata e Apelit refuzoi ankesën.

OShP-ja i kishte shqiptuar ShSKUK-së gjobë me vlerë prej 25 mijë eurove.

ShSKUK-ja nuk ishte pajtuar me këtë vendim të OShP-së, duke iu drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë e më pas edhe asaj të Apelit.

Të dyja këto instanca i kanë dhënë të drejtë Organit Shqyrtues të Prokurimit dhe tani Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) duhet të ekzekutojë vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Vendimi i Gjykatës së Apelit në lidhje me gjobën e OShP-së nga ShSKUK-së është publikuar edhe në faqen zyrtare të Organit Shyrtues të Prokurimit.

“Refuzohet si e pabazuar ankesa e propozuesit-paditësit Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti për Çështje Administrative A.nr 1498/2016 i datës 03.10.2016 vërtetohet” thuhet në vendimin e Apelit.

Gazeta JNK kishte shkruar me datën 6 nëntor në lidhje me dy gjoba që OSHP-ja i kishte shqiptuar ndaj autoriteteve kontraktuese të ShSKUK-së dhe Telekomit të Kosovës.

Asnjëra nga këto institucione nuk ishin pajtuar me vendimin dhe rastet i kishin dërguar në gjykatë për të kërkuar anulimin e gjobave.

Gjobat e Papaguara dhe “Beteja” e Telekomit me OShP-në

KALLXO.com tentoi të marrë qëndrimin e drejtorit të ShSKUK-së, Curr Gjocajt në lidhje me vendimin e Gjykatës së Apelit për gjobën, por kontakti me të ishte i pamundur.

ShSKUK-ja i kishte thënë kohë më parë Gazetës Jeta në Kosovë që institucioni i tyre nuk i ka mjetet e duhura për të paguar gjobën e OSHP-së.