Takimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës – Foto: KPK

Ankesat shtyjnë votimin për emërimin e kryeprokurorit special

Në takimin e 165-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), ishte e paraparë votimi për emërimin e kryeprokurorit të ri të Prokurorisë Speciale.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku, ka dalë në pension më 4 prill.

Për pozitën e të parit të Prokurorisë Speciale kanë aplikuar katër kandidatë: Armend Hamiti, Atdhe Demaj, Blerim Isufaj e Haki Gecaj.

Kandidatët e sipërpërmendur janë intervistuar nga komisioni vlerësues për emërimin e kryeprokurorit të PSRK-së dhe ditën e sotme në takimin e 165 të KPK-së, ka qenë e paraparë që komisioni vlerësues të rekomandoj dy nga kandidatët me të poentuar për t`u emëruar për kryeprokuror të Prokurorisë Speciale.

E dy kandidatët me të poentuar nga komisioni vlerësues mësohet se janë: Haki Gecaj dhe Blerim Isufaj.

Por votimi për emërimin e njërit prej tyre si kryeprokuror i Prokurorisë Speciale nuk u bë i mundur për shkak të dy ankesave të dy kundër kandidatëve tjerë.

Në pjesën kur anëtarët e këshillit kanë diskutuar lidhur me shqyrtimin e këtyre ankesave, publiku dhe mediat janë përjashtuar nga salla dhe diskutimi lidhur me këto ankesa është bërë me dyer të mbyllura.

Pas disa minutash diskutim, publiku dhe mediat janë informuar se gjatë këtij takimi nuk do të jetë i mundur votimi për emërimin e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.

Gjatë këtij takimi KPK ka miratuar edhe rregulloren për shërbimet e komunikimit me publikun si dhe është bërë prezantimi i raportit vjetor të punës së Prokurorit të Shtetit për vitin 2018.

Prezantimin e raportit vjetor të punës së Prokurorit të Shtetit e ka bërë kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi.

Lumezi gjatë prezantimit të këtij raporti deklaroi se janë arritur rezultate të mira si shkak i punës efikase të institucionit të Prokurorit të Shtetit për çka i falenderoi kryeprokurorët, prokurorët dhe stafin administrativ për punën e treguar gjatë vitit 2018.