Foto: US Embassy in Serbia

Ambasada Amerikane në Serbi kërkon të zbardhet vrasja e vëllezërve Bytyqi

Ambasada e Shteteve të bashkuara të Amerikës në Beograd ka lëshuar një deklaratë në njëzetvjetorin e vrasjes së Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi.

Sipas Ambasadës së ShBA-së, Qeveria Amerikane ka kërkuar që të zbardhet sa më shpejt vrasja e tre shtetasve të Amerikës.

“Sot shënojmë një përvjetor të zymtë. Njëzet vjet më parë, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi u morën nga një stacion policor dhe u liruan në paraburgim të njësive speciale të policisë serbe. Dy vjet më vonë, trupat e këtyre tre shtetasve amerikanë u gjetën në Petrovo Selo në Serbinë lindore në një bazë të kontrolluar nga një njësi nën komandën e Guri Radosavljeviç. Duart e viktimave ishin të lidhura prapa shpinës dhe secili prej tyre ishte qëlluar në kokë”, thuhet në deklaratën e Ambasadës.

Tutje, Ambasada Amerikane në Serbi ka thënë se zbulimi i drejtësisë në rastin e vëllezërve Bytyqi, mbetet prioritet  në marrëdhëniet diplomatike ShBA- Serbi.

“Edhe pse kanë kaluar njëzet vjet, vrasjet e tyre ende nuk janë hetuar siç duhet dhe plotësisht. Vdekjet e tyre janë diçka që nuk mund dhe nuk do ta harrojmë. Marrja e drejtësisë për vëllezërit Bytyqi mbetet prioritet në marrëdhëniet tona dypalëshe me Serbinë. Qeveria e Shteteve të Bashkuara përsëri i bën thirrje autoriteteve serbe, të cilët kanë premtuar të ndihmojnë në këtë rast gjatë viteve, për një zgjidhje për këtë rast”, thuhet në fund të deklaratës.

Ndonëse kanë kaluar 20 vjet nga vrasja e vëllezërve Bytyqi, deri sot nuk ka asnjë të dënuar për këtë krim.

Përpos institucioneve të Kosovës, kjo vrasje ka qenë pikë presioni e ShBA-së ndaj Serbisë, pasi Amerika kërkon me ngulm që të ketë epilog lidhur me vrasjen e shtetasve të tyre.

20 vjet nga vrasja e vëllezërve Bytyqi, ende asnjë i dënuar

www.kallxo.com