Ilir Bytyqi (majtas) me të afërmit e tij jashtë Shtëpisë së Bardhë. Foto: Vëllezërti Bytyqi /Flickr.
Peticioni kundër lirimit të Vlastimir Gjorgjeviqit u dërgohet MIKT-së dhe autoriteteve gjermane
Personat të cilët e kanë nënshkruar këtë peticion kërkojnë që Vlastimir Gjorgjeviq, të dënuarit nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë për krime kundër njerëzimit si dhe shkeljen e ligjeve ose zakoneve të luftës gjatë konfliktit në Kosovë, t’i mohohet lirimi i parakohshëm.
Gjorgjeviqit fillimisht Tribunali i shqiptoi dënim me burgim të përjetshëm, më pas dënimi iu zvogëlua në 27 vjet burg, e së fundmi dënimi i është reduktuar në 18 vite burgim.
Por lirimin e tij po e kundërshton fuqishëm familja e Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqit (shqiptarë me shtetësi amerikane), të vrarë në Serbi gjatë vitit 1999.
Iniciativës së familjes Bytyqi, e cila kërkon që Gjorgjeviqit t’i refuzohet kërkesa për lirim të parakohshëm, i janë bashkangjitur edhe shoqatat e familjeve të personave të zhdukur, 34 OJQ nga Serbia dhe Kosova si dhe disa organizata të shoqërisë civile.
Përmes këtij peticioni 2.363 njerëz kërkojnë që Mekanizmi Ndërkombëtar i Tribunaleve Penale ta refuzojë kërkesën e Gjorgjeviqit derisa ai të demonstrojë rehabilitim dhe bashkëpunim të konsiderueshëm në zbulimin e varreve masive dhe në zbardhjen vrasjes së vëllezërve Bytyqi.
“Gjorgjeviq, ish ndihmësministri i Brendshëm i Serbisë, u dënua nga MIKT për përgjegjësi të drejtpërdrejtë dhe mbikëqyrëse mbi operacionet e mbulimit në fund të luftës në Kosovë. Ai gjithashtu ka pranuar se dha urdhër që vëllezërit Bytyqi të mbahen në burg dhe më pas të dërgohen në vendin e një varri masiv, të cilin ai e ka mbikëqyrur pa ndonjë miratimin gjyqësor”, thuhet në letrën e dërguar Presidentit të Mekanizmit Ndërkombëtar të Tribunaleve Penale si dhe autoriteteve gjermane.
Fatos Bytyqi, vëllai i tre vëllezërve të vrarë, ka thënë se Gjorgjeviq për njëzet vite me radhë është duke fshehur informacionet që kanë të bëjnë me zbardhjen e vrasjes së qindra shqiptarëve, prandaj sipas tij, Gjorgjeviqi fillimisht duhet të tregojë pendim dhe të dëshmojë bashkëpunim e pastaj të kërkojë që të lirohet.
“Fjalët janë të lehta, lotët mund të jenë të shtirur. Për 20 vjet, Vlastimir Gjorgjeviq ka fshehur informacione që mund të sjellin në mbylljen e qindra rasteve. Për një person të tillë, vetëm provat dhe informacionet e mundshme mund të tregojnë se ai është rehabilituar me të vërtetë”, shprehet Fatos Bytyqi vëllai i Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqit.
Ndërsa Ilir Bytyqi ka deklaruar se përpos Mekanizmit Ndërkombëtar të Tribunaleve Penale dhe autoriteteve gjermane ai pret veprime konkrete edhe nga institucionet e Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij këto institucione duhet të veprojnë menjëherë.
“Sot, ne po i kërkojmë Presidentit të MIKT dhe autoriteteve gjermane të veprojnë, por edhe autoritetet e Kosovës dhe ato të Serbisë gjithashtu kanë përgjegjësinë për të bërë gjithçka që kanë në pushtetin e tyre për të ndihmuar në mbylljen e plagëve të familjeve tona. Ne presim për veprime të menjëhershme”, ka thënë Ilir Bytyqi, vëllai tjetër i Ylli, Agron e Mehmet Bytyqit.
Por familja e tre vëllezërve Bytyqi të vrarë nga forcat serbe pas përfundimit të luftës nuk është ndalur me kaq.
Përpos që para disa ditëve ka filluar një fushatë si thirrje për kundërshtimin e lirimit të parakohshëm nga burgu të të dënuarit për krime lufte, Vlastimir Gjorgjeviq, në kuadër të kësaj fushate, familja Bytyqi ka dërguar edhe dy letra të tjera.
Letrën e parë ia kanë drejtuar presidentit të Mekanizmit Ndërkombëtar të Tribunaleve Penale, nga i cili kanë kërkuar që ta refuzojë kërkesën e Gjorgjeviqit për lirim të parakohshëm.
Ilir Bytyqi vëllai i Yllit, Agronit dhe Mehmetit, përmes letrës thotë se Vlastimir Gjorgjeviq është personi përgjegjës për vrasjen e tre vëllezërve të tij.
Sipas Ilir Bytyqit ishte po Gjorgjeviqi që kishte urdhëruar rrëmbimin dhe më pas edhe gropimin e tyre në një varrezë masive së bashku me 75 persona të tjerë.
Kjo familje pandeh se Gjorgjeviq ka dijeni për vendndodhjen e varrezave masive dhe i njëjti nuk duhet të lirohet deri sa të bashkëpunojë me institucionet e drejtësisë.
Kjo pasi siç thuhet në letrën drejtuar Tribunalit, familjarët meritojnë mbylljen e plagëve dhe familja Bytyqi meriton të vërtetën.
Ndërsa letrën e dytë ua kanë nisur presidentit të Kosovës Hashim Thaçit dhe presidentit të Serbisë Aleksander Vuçiq nga të cilët po kërkojnë që të bllokojnë lirimin e Vlastimir Gjorgjeviqit.
Fatos e Ilir Bytyqi përmes letrës i kanë informuar Thaçin dhe Vuçiqin lidhur me fushatën e tyre dhe nga të njëjtit kanë kërkuar që të reagojnë për të parandaluar miratimin e kërkesës së Gjorgjeviqit për lirim të parakohshëm.
“Për shumë vite, presidenti Vuçiq më ka premtuar mua dhe familjes time se ai do të zgjidhë vrasjet e vëllezërve të mi. Ai mund të fillojë t’i tregojë botës se është njeri i fjalës duke ndërmarrë veprime konkrete lidhur me rastin e Vlastimir Gjorgjeviqit. Historia është duke parë”, është shprehur Fatos Bytyqi.
Ndërsa Ilir Bytyqi ka thënë se kjo është mundësi unike për Kosovën që të ndërmarrë veprime konkrete për t’i përmbushur premtimet për zbardhjen e rasteve të të pagjeturve.
“Ne kemi qenë të nderuar nga përpjekjet e shumta që Presidenti Thaçi dhe Qeveria e Kosovës kanë ndërmarrë për të nderuar vëllezërit tonë të rënë. Kosova tani e ka mundësinë unike për të ndërmarrë veprime konkrete për të përmbushur premtimet e vërteta të paqes dhe drejtësisë për familjen tonë dhe familjet e të zhdukurve. Ne ju nxisim që të veproni me shpejtësi”, thotë Ilir Byqtyqi vëllai i Yllit, Agronit dhe Mehmetit (tre vëllezërve të vrarë në Serbi gjatë vitit 1999).
KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, iniciativën e familjes Bytyqi për të kundërshtuar lirimin e parakohshëm të Gjorjeviqit, këmbënguljen e ShBA-së për zbardhjen e këtij rasti, premtimin e shtetit serb se fajtorët do t’i vërë para drejtësisë si dhe përpjekjet e familjes Bytyqi për të gjetur drejtësi për humbjen e më të dashurve të tyre.
Të gjitha raportimet rreth këtij rasti mund t`i gjeni në këtë link.