Kongresi Amerikan miraton rezolutë për zbardhjen e vrasjes së vëllezërve “Bytyqi”

Komiteti i Punëve të Jashtme i Kongresit të SHBA-ve javën e kaluar e kaloi një rezolutë ku thirrej për zbardhjen e vrasjes së tre vëllezërve Bytyqi.

Rezoluta është miratuar nga Kongresi Amerikan pak pas 20 vjetorit të vrasjes së vëllezërve.

Me rastin e miratimit të kësaj rezolute familjarët e Ylli, Agron e Mehmet Bytyqi, i falënderuan kryetarin e kongresit Eliot Engel si dhe kongresmenin Zeldin.

“Bota e di se Serbia po mbron kriminelët e luftës, duke përfshirë ata që vranë vëllezërit e mi. Askush do të mashtrohet më. Sot, Komiteti i Punëve të Jashtme e bëri shumë të qartë se Shtetet e Bashkuara kurrë nuk do të heqin dorë nga kjo çështje. Ne duam të falënderojmë komitetin – dhe në veçanti kryetarin Engel dhe kongresmenin Zeldin – për përpjekjet e tyre”, është shprehur Ilir Bytyqi me rastin e miratimit të rezolutës nga Kongresi Amerikan.

Ndërsa Fatos Bytyqi është shprehur se ai dhe familja e tij janë duke luftuar tash e 20 vite për të sjellë drejtësi mbi vrasjen e vëllezërve të tij dhe se asnjëherë nuk do të ndalen derisa drejtësia të vihet në vend.

“Familja ime ka punuar për 20 vjet për të marrë drejtësi për vëllezërit e mi. Ne duam të falënderojmë Kryetarin Engel dhe Kongresmenin Zeldin, në veçanti, për mbështetjen e fortë ndaj nesh. Ne nuk do të pushojmë derisa drejtësia të vihet në vend”, ka deklaruar Fatos Bytyqi.

Rezoluta e miratuar nga Kongresi Amerikan sjellë në kujtesë historinë faktike të çështjes Bytyqi, duke i vënë theks të veçantë pretendimeve për përfshirje të Vlastimir Gjorgjeviç dhe Goran Radosavljeviq në vrasjen e vëllezërve Bytyqi.

Rezoluta gjithashtu i referohet premtimeve të thyera të presidentit Aleksandër Vuçiç lidhur me zbardhjen e këtij rasti dhe thekson se “përparimi në zgjidhjen e këtij rasti, ose mungesa e tij, duhet të mbetet një faktor i rëndësishëm që përcakton zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Serbisë”.

Si u vranë Vëllezërit Bytyqi?

Tre vëllezërit Bytyqi në prill të 1999-ës udhëtuan nga Amerika në Kosovë për t’iu bashkuar batalionit “Atlantiku” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pranë të cilit luftuan deri në qershorit të 99-ës deri sa përfundoi lufta në Kosovë.

Vëllezërit Bytyqi u arrestuan më 23 qershor 1999 nga policia serbe pasi që mendohet se aksidentalisht e kaluan kufirin me Serbinë përderisa ishin duke i ndihmuar disa fqinjë nga një familje rome, të cilët për shkak të rrethanave nuk ndjeheshin të sigurt, prandaj u kishin kërkuar vëllezërve që ti shoqëronin deri te kufiri për të kaluar në Serbi.

Gjatë shoqërimit vëllezërit Bytyqi aksidentalisht e kaluan kufirin administrativ të pashënuar me Serbinë, me ç ‘rast edhe u arrestuan menjëherë.

Pas arrestimit vëllezërit u akuzuan për kalim ilegal të kufirit dhe Gjykata për Kundërvajtje në Prokuplje të Serbisë i dënoi me 15 ditë burgim.

Por pas vuajtjes së dënimit prej 15 ditëve burgim, vëllezërve Bytyqi u humbën gjurmët.

Ndonëse një kohë nuk është ditur për fatin e tyre, në vitin 2001 kufomat e Yllit, Mehmetit dhe Agronit janë gjetur në një varr të pashënuar pranë një kampi policor të trajnimit në Petrovo Sello, afër qytezës Kladovo. Duart e tyre ishin të lidhura me tel, sytë e mbështjellë me shami dhe secila kafkë kishte një vrimë plumbi: ishin ekzekutuar në vend. Ata u gjetën mbi një varreze masive që përmbante kufomat e 67 burrave dhe grave nga Kosova.

Edhe pse kanë kaluar 20 vjet që nga vrasja e tyre edhe përkundër përpjekjes së vazhdueshme të SHBA-ve të cilët vazhdimisht kanë kërkuar zbardhjen e këtij rasti, deri në këto ditë nuk ka ndonjë person të dënuar për vrasjen e vëllezërve Bytyqi.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, këmbënguljen e SHBA-ve për zbardhjen e këtij rasti, premtimin e shtetit Serb se fajtoret do ti vë para drejtësisë si dhe përpjekjet e familjes Bytyqi për të gjetur drejtësi për humbjen e më të dashurve të tyre.

Të gjitha raportimet rreth këtij rasti mund t`i gjeni në këtë link.