Foto: Ilustrim

Aktakuzë për Kontrabandë me Emigrantë Ndaj Shtetasit Turk

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore të Prizrenit, kundër të pandehurit, O. A., shtetas turk, për veprat penale  të kontrabandës me emigrantë” dhe krimit të organizuar.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, i pandehuri dyshohet se ka qenë pjesë e një grupi të organizuar kriminal, i cili është marr me kontrabandim me migrantë të shtetasve turq, ku përmes Maqedonisë, Serbisë, Kosovës, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Sllovenisë i’u kanë mundësuar atyre hyrje në Itali dhe shtete tjera të Bashkimit Evropian.

“Në bazë të kërkesës së autoriteteve sllovene për transferim të procedurës penale në Republikën e Kosovës ndaj të pandehurit O. A., Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka miratuar kërkesën për transferim të procedurës penale, në përputhje me Ligjin 2011/04-L-031 për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtarë në Çështje Penale të Republikës së Kosoves, ka zhvilluar hetimet dhe më pas ka ngritur aktakuzë” thuhet në komunikatën e lëshuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cili i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor për veprat penale dhe ta dënojë sipas ligjit.