Nga një aksident në Kosovë | Foto e ardhur në KALLXO.com

Aksidentet- Marrësit e Jetës së Shumë Njerëzve në Kosovë

Numri i përsonave të cilët kanë humbur jetën në aksidente gjatë këtij viti është rritur në krahasim me vitin e kaluar.

Në bazë të statistikave të Policisë së Kosovës, 119 persona kanë humbur jetën këtë vit në aksidente, ndërsa vitin e kaluar 89.

Bilanc tejet tragjik ishte ai i së dielës së kaluar kur në tri aksidente në Kosovë vdiqën pesë persona. Për këto aksidente shkroi KALLXO.com.

Policia ka përgatitur një plan për sigurinë në komunikacion të cilin e ka shpërndarë për zbatim nëpër të gjitha departamentet dhe rajonet policore për zbatim.

Me plan janë paraparë edhe shpërndaje të fletëpalosjeve për të vetëdijesuar pjesëmarrësit në komunikacion.

Policia e Kosovës kryesisht gjatë sezonit dimëror për një menaxhim dhe kontroll më të mirë të sigurisë, e sidomos të trafikut rrugor ka përpiluar një plan opertiv policor.

“Nga Divizioni i Trafikut Rrugor të Policisë së Kosovës janë përpiluar dhe shpërndarë fletëpalosje me udhëzime dhe mesazhe vetëdijësuese për të ndikuar në uljen e aksidenteve me fatalitet që mbeten një shqetësim për të gjithë ne”, thuhet në përgjigjen e Polisicë për KALLXO.com.

Plani parasheh edhe masa ligjore që do të “do të ndërmerren në vazhdimësi për të gjithë ata që nuk u përmbahen rregullave të trafikut”.

Përveç rritjes së numrit të të vdekurve në aksidente, janë shtuar sivjet edhe aksidentet me të lënduar në raport me 2016-ën.

Për periudhën janar-nëntor kanë ndodhur 5816 aksidente me të lënduar, ndërsa në vitin e kaluar ndodhën 5651 aksidente të tilla.

Nga aksidente të cilat kanë ndodhur gjatë këtij viti sipas statistikave të policisë 11,549 persona kanë mbetur të lënduar.

Policia po ashtu ka potencuar se aplikimi i masës zero-tolerancë ndaj të gjithë kundërvajtësve në trafik, ka shtuar edhe numrin e gjobave të shqiptura, duke përfshirë edhe ato për tejlalim të shpejtësisë që konsiderohet shkaktari kryesor i aksidenteve.

Policia kërkon që sidomos ngasësit e makinave t’u përshtaten kushteve të rrugëve dhe të mos përdorin telefonat gjatë vozitjes.

“Duhet t’i përmbahen shpejtësisë së përcaktuar me shenjat e trafikut, t’u përshtaten kushteve të rrugës dhe atyre atmosferike, si dhe të mos përdorin telefonat gjatë ngasjes së automjeteve”, thuhet në apelin e policisë.

Sipas statistikave të policisë, numri i tiketave të shqiptuara gjatë periudhës janar– nëntor ka arritur në 371,976 tiketa.

Forcat e rendit zero-tolerancën ndaj kundërvajtësve e përmendën në muajin gusht.

http://kallxo.com/policia-zero-tolerance-ndaj-te-gjithe-kundervajtesve-ne-trafik/

Edhe apelin për kujdes në trafik policia e dha disa herë që nga përkeqësimi i kushteve atmosferike.

http://kallxo.com/policia-apelon-per-kujdes-pas-3-vdekjeve-ne-aksidente/

http://kallxo.com/perkeqesimi-motit-policia-apelon-per-siguri-ne-trafik/

Çështja e aksidenteve u përmend edhe në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës më 27 nëntor, pasi Këshilli për Komunikacion kishte kërkuar takim për këtë problem me zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Infrastrukturës.