Intervista e kryeshefit të IPK-së në ‘Kallxo Përnime’, Muharremi përsërit kërkesën për Vetting në Polici
Shenoll Muharremi, njohës i integrimeve europiane, ka reaguar pas transmetimit të emisionit “Kallxo Përnime”, në të cilin kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj, ka folur rreth dyshimeve se pjesëtarë të Policisë janë të përfshirë në fajde, dhunë në familje e vepra të tjera penale.
Muharremi ka thënë se duhet të ndërmerren veprime që e ruajnë Policinë e Kosovës dhe reputacionin e të gjithë policëve të ndershëm dhe me integritet.
Ai ka përsëritur kërkesën për Vetting në Polici.
“Sonte po dëgjojmë live një intervistë në Kallxo me Drejtorin e Inspektoratit ku, mes tjerash, flitet për (a) Policë që dyshohet që janë të përfshirë në fajde; (b) Policë që janë parë se shoqërohen me grupe kriminale; (c) Policë që po hetohen që janë të përfshirë në dhunë familjare. Disa raste janë zyrtarë të lartë të policisë. Këta janë një numër shumë i vogël, nuk janë shumica. Deri më tani kemi mjaftueshëm raste që na bëjnë me kuptu që duhen me u ndërmarrë veprime që e ruajnë Policinë e Kosovës dhe reputacionin e të gjithë policëve të ndershëm dhe me integritet, e që janë shumica absolute e zyrtarëve të Policisë së Kosovë”- ka shkruar ai.
Vettingun në Polici, Muharremi e ka përmendur edhe disa ditë më parë pas hulumtimit të emisionit “Kallxo Përnime” – “Denoncimi i fajdesë”, i cili shfaq pretendimet për përfshirjen e një zyrtari policor në fajde.
Sonte më 26.05.2024, kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Kushtrim Hodaj ka folur lidhur me rastin e fajdeve në Pejë pas një hulumtim të “Kallxo Përnime”, që u publikua javën e kaluar, tregoi se si një familje në Pejë pretendon se e humbi pronën në fajde.
Naser Brdakiç pretendoi se mori para me fajde nga zyrtari policor Flamur Rexhaj.
Hodaj tha se ndaj zyrtarit në fjalë kanë zhvilluar hetime, jo vetëm në lidhje me pretendimet e rastit konkret, por edhe për raste të tjera në të cilat Rexhaj ka qenë i dyshuar.
Ai ka folur edhe për rastin e largimit të Enver Sekiraqës nga Kosova, i cili që nga 17.05.2024 vazhdon të mbetet i paarritshëm për Policinë e Kosovës dhe organet e drejtësisë, ndonëse ndaj tij tashmë ekziston një vendim që të kthehet në paraburgim.
Hodaj tha se këtë rast nuk e kanë trajtuar ende për shkak se deri më tani nuk kanë pasur ndonjë informacion nëse Sekiraqa është larguar përmes ndonjë pike kufitare apo përmes ndonjë zyrtari policor është mundësuar largimi e tij.
“Një deklarim publik apo një komunikatë e Policisë ka qenë se nuk ka informacione që i njëjti të ketë kaluar nëpër pikat kufitare, mirëpo sigurisht që do ta trajtojmë si informacion dhe do ta verifikojmë nëse eventualisht Policia ka pasur apo duhet të ketë informacione për arratisjen apo për largimin e tij nga Kosova” – tha Hodaj.