Ilustrim: Një viktimë e dhunës, Foto: Pixaby

Raportohen shtatë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit në Kosovë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur në raportin 24 orësh se janë raportuar shtatë rastë të dhunës në familje.

Sipas raportit, në Prishtinë një person ka raportuar se kishte pasur një mosmarrëveshje me ish bashkëshorten e tij, rreth kujdestarisë së fëmijëve. Sipas ankuesit, fëmijët janë duke u keqtrajtuar nga e dyshuara e cila i ka nën kujdestari. Ankuesi, sipas Policisë, kishte pranuar në telefon edhe mesazhe kërcënuese nga e dyshuara. Rasti vazhdon të jetë nën hetime.

Në Drenas një grua shtetase e Shqipërisë ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është rrahur nga burri i saj. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Në Podujevë, një grua ka raportuar për dhunë nga burri i saj. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt.

Ndërsa në Ferizaj, pas një mosmarrëveshje një grua ka goditur me një mjet të fortë vajzën e saj të mitur. Viktimës i është ofruar ndihma mjekësore. Pas intervistimit me vendim të prokurorit e dyshuar lirohet në procedurë të rregullt.

Në Pejë, një grua ka raportuar se djali i saj ka ushtruar dhunë psikike ndaj sa. Sipas Policisë, i dyshuari është në arrati, ndërsa rasti vazhdon nën hetime.

Në Gjakovë një person ka sulmuar fizikisht vëllain e tij, ku gjatë ndërhyrjes së nënës së tyre, e njëjta ka pësuar lëndime. Policia ka njoftuar se të lënduarit kanë refuzuar tretmanin mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar, i njëjti pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndërsa në Mitrovicë të Veriut është raportuar se një person ka goditur vajzën e tij të moshës 2 vjeçare. Sipas Policisë, gruaja dhe motra e tij kanë tentuar që ta ndalojnë, por i dyshuari ka vazhduar duke goditur edhe viktimën femër. Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe e njëjta ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit rasti shkon në procedurë të rregullt.