A ka lidhje mes policëve dhe grupit të Sekiraqëve? - Flet kryeshefi i IPK-së

Tre policët D. Jashari, V. Fetahu, të dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës në Njësinë Kundër Terrorizmit, dhe B. Krasniqi, polic në Njësinë Speciale Operative, më 30.10.2023 ishin suspenduar nga detyra me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës.

Suspendimi i tyre ishte bërë nën dyshimin se ishin parë në shoqëri të një personi të cilin IPK e ka cilësuar si me të kaluar kriminale dhe person të dyshuar për nxitjen e vrasjes së pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Triumf Riza.

Për lidhjen mes këtyre zyrtarëve policorë e edhe të tjerëve me grupin e Sekiraqëve, në një intervistë për “Kallxo Përnime” u deklarua kryeshefi i IPK-së, Kushtrim Hodaj.

Ai tha se nuk e di nëse ka lidhje ky grup me Policinë, por shtoi se ka pasur raste kur janë përfolur zyrtarët policorë për shoqërim me njerëz të rrethit apo të grupit të Sekiraqëve.

“Kemi pasur edhe raste kur ne kemi rekomandu suspendimin e disa zyrtarëve policorë, pikërisht për shkak të shoqërimit me persona që kanë qenë një kohë të gjatë në arrati dhe në momentin që janë arrestuar dhe pastaj janë liru janë shoqëru me zyrtarë policorë” – tha Hodaj.

Ai tutje shtoi se rasti i tre policëve të lartpërmendur është një prej rasteve që është trajtuar fillimisht me dyshimet për veprimtari penale, mirëpo sipas tij pas vlerësimit që nuk ka elemente penale edhe ky rast është trajtuar në disiplinë.

KALLXO.com kërkoi nga Policia e Kosovës të dijë më shumë se çfarë ka ndodhur pasi rasti i policëve u referua në disiplinë, por deri më tani nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Hodaj tregoi se për rastin e D. Jashari, V. Fetahu dhe B. Krasniqi kanë zhvilluar hetime me autorizim të prokurorit dhe në koordinim me prokurorinë.

Ai tha se nuk është arritur që të sigurohen provat për lidhje direkte të zyrtarëve policorë që kanë mundësuar qoftë pa mundësinë e arrestimit të atij qytetari apo për ndonjë favor tjetër.

“Nuk ka rezultu që ata kanë pasur qasje në dosjen apo në rastin në të cilin ka qenë duke u hetuar” – tha kryeshefi.

Tutje ai tha se megjithatë, vetë shoqërimi i zyrtarëve policorë lë një shije të keqe për të gjithë qytetarët, edhe për IPK-në.

Hodaj theksoi se për këtë arsye konsiderojnë që masat disiplinore në këto raste kur ka shoqërim të zyrtarëve policorë me persona që njihen për veprimtarinë e tyre kriminale duhet të jenë të pamëshirshme dhe duhet të jenë masa më të ashpra.

Këta janë policët që u suspenduan pasi dyshohet se u shoqëruan me personin e dyshuar për nxitje të vrasjes së policit Triumf Riza