A u hetua nga IPK polici i dyshuar për fajde?
Një hulumtim i “Kallxo Përnime”, që u publikua javën e kaluar, tregoi se si një familje në Pejë pretendon se e humbi pronën në fajde.
Naser Brdakiç pretendoi se mori para me fajde nga zyrtari policor Flamur Rexhaj.
E për këtë të fundit në një intervistë për “Kallxo Përnime” është pyetur kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Kushtrim Hodaj.
Hodaj tha se ndaj zyrtarit në fjalë kanë zhvilluar hetime, jo vetëm në lidhje me pretendimet e rastit konkret, por edhe për raste të tjera në të cilat Rexhaj ka qenë i dyshuar.
“Në të gjitha rastet, edhe në rastin konkret, IPK ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe ka përcjellë rastin me raport në Prokurorinë Themelore në Pejë dhe pastaj kemi qenë në pritje të autorizimeve shtesë nga ana e Prokurorisë lidhur me këtë rast” – tha Hodaj.
Ai tutje shtoi se një raport nga ana e tyre është dërguar në vitin 2022 në Prokurorinë e Pejës e Hodaj theksoi se IPK në vitin 2023 kishte pranuar informacionin për mbylljen e rastit nga ana e Prokurorisë në Pejë.
Hodaj tha se Prokuroria kishte vlerësuar që nuk ka elemente të veprës penale në këtë rast, teksa IPK më pas, sipas procedurave që ia përcakton ligji, rastin e kishte referuar te departamenti përgjegjës për hetime të brendshme dhe verifikim të së kaluarës.
“Pa dashtë me gjuajt topin apo përgjegjësinë për veprimet e institucioneve të tjera, sepse sigurisht ne shumicën e veprimeve hetimore i ndërmarrim me autorizime të prokurorit përgjegjës, dhe sipas autorizimeve të prokurorit kemi vepru edhe në këtë rast” – tha Hodaj teksa shpjegoi se çfarë veprime kishte ndërmarrë IPK ndaj zyrtarit policor.
Naser Brdakiç kishte vendosur të flasë për fajdenë ekskluzivisht për “Kallxo Përnime”, vetëm pasi gjykata vendosi që t’i largojë nga shtëpia me anë të përmbarimit.
Në anën tjetër, zyrtari policor Flamur Rexhaj nuk kishte pranuar të takohet me hulumtuesit e “Kallxo Përnime”.
Ai për emisionin kishte kthyer një përgjigje me shkrim nëpërmjet avokates së tij, Aurora Mulhaxha.
Rexhaj ka dhënë versionin e tij për ngjarjen. Ai nuk është përgjigjur në pyetje se ku i mori paratë dhe pse i ka dhënë para hua Naser Brdakiçit.
Ai nuk ka ofruar përgjigje nëse ky ishte rast i fajdeve dhe nuk tregon as për akuzat për heqjen e përgjuesve.
“Fillimisht ju njoftoj se unë nuk jam pronar i kësaj prone dhe se ankuesit nuk kanë qenë pronarë asnjëherë përpos shfrytëzues të paluajtshëm pa u pengu nga askush. Ndihem i shokuar se si ka mundësi që pyetjet janë bërë duke i tejkaluar të drejtat mediale, dhe duke kalu në cilësinë e organit hetues.”
“Për të gjitha pyetjet e bëra, edhe pse nuk jeni kompetent të më procedoni, unë kam kalu ne procedura ligjore, gjyqësore për 15 vite. Konsideroje se unë jam i dëmtuar, pasi qe një procedurë e cila duhet të zgjatë 3 muaj ka zgjatë 15 vite.”
“Pasi që ankuesit, asnjëherë nuk janë paraqitë, asnjëherë nuk e kanë respektu gjykatën për 15 vite, unë lidhur me këto çështje ju udhëzoj ti merrni nëpërmjet gjykatës, pasi qe unë asnjëherë nuk kam vepru vetëgjyqësi, përpos nëpër rrugët gjyqësore që jam udhëzu nga personat kompetentë, në suaza ligjore ashtu siç i takon e drejta e çdo qytetari sipas Kushtetutës dhe Ligjit mbi marrëdhëniet e detyrimeve”- thuhej në përgjigjen e Flamur Rexhajt.
Rrëfimi i familjes se si e humbi pronën në fajde – VIDEO