Ilustrim - Foto: KALLXO.com

A ndikoi raportimi në media për të suspenduar kapitenin e Policisë, Riza Murati?

Inspektorati Policor i Kosovës më 19.05.2024 i kishte rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e kapitenit policor Riza Murati, i cili është shef i Sektorit qendror për hetimin e trafikimit me njerëz.

KALLXO.com më 18.05.2024 kishte raportuar ekskluzivisht që Murati ka një vendim që ia ndalon t’i afrohet bashkëshortes së tij L. M. prej 50 metrash në vende publike dhe 100 metra në vendbanimin e së njëjtës.

Kryeshefi i IPK-së, Kushtrim Hodaj, në një intervistë për “Kallxo Përnime” u pyet nëse raportimi në media ndikoi që të suspendohej kapiteni i dyshuar për dhunë në familje.

Suspendimi ai tha se u bë pas publikimit në media, për shkak se IPK nuk kishte marrë një dritë të gjelbër prej anës së Prokurorisë nëse në këtë rast ka elemente të veprës penale.

Sipas Hodajt, IPK ka filluar trajtimin e këtij rasti që nga momentin që i ka marrë informacionet e para.

“I kemi marrë dëshmitë prej bashkëshortes së tij, i kemi zhvilluar kontaktet dhe komunikimet me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë” – tha kryeshefi.

“Fillimisht ka qenë vlerësim i Prokurorisë se duhet të ndërmerren edhe disa veprime hetimore shtesë për t’u siguruar nëse ka ose jo elemente shtesë të veprës penale dhe kemi qenë në ndërmarrje të veprimeve në momentin që pastaj veç është publiku” – shtoi tutje ai.

Tutje Hodaj tha se viktima në media ka dhënë informacione shtesë përtej informacioneve që ata i kanë pasur gjatë fazës që kemi qenë duke e hetuar.

IPK rekomandon suspendimin e Riza Muratit, kapitenit të Policisë të dyshuar për dhunë në familje