Foto: Afrim Ejupi/KALLXO.com

Dhunimi dhe grabitja e gruas derisa ishte duke ecur me djalin e saj në Gjilan, policia ende nuk ka të dyshuar

Policia e Kosovës ende nuk ka arritur që të identifikojë të dyshuarit që dhunuan dhe grabitën një grua, derisa e njëjta ishte duke ecur me djalin e saj, dje me 25.05.2024 në Gjilan.

Sipas kryeprokurorit të Gjilanit, Arben Kadriu, Policia janë duke punuar për të identifikuar të dyshuarit.

“Për momentin nuk ka persona të dyshuar apo identifikuar. Dyshohet se veprën e kanë kryer dy persona. Vepra penale është dhunim, grabitje dhe lëndim trupor. Policia është duke u mundu me identifiku të dyshuarit” – ka thënë Kadriu për KALLXO.com.

Ndërsa në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, thuhet se gruaja dhe djali i saj i mitur derisa ishin duke ecur rrugës janë sulmuar fizikisht nga dy persona të maskuar.

Sipas Policisë, të dyshuarit kanë arritur që me forcë të marrin nga viktima stoli ari, si dhe një shumë parash.

Po ashtu, policia ka njoftuar se dyshohet se gruan e kanë dhunuar, ndërsa ndaj djalit të saj kanë ushtruar dhunë fizike dhe të njëjtit kanë pranuar tretman mjekësor.