(Ilustrim) Foto: Denis Sllovinja / KALLXO.com

KFOR: I pasaktë raporti ku thuhet se negociuam tërheqjen e luftëtarëve të grupit serb në Banjskë

Misioni i KFOR-it në Kosovë e ka quajtur të pasaktë raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizës, ku thuhet se “KFOR-i kishte negociuar me tërheqjen e sulmuesve serbë nga sulmi në Banjskë”.

KFOR-i ka thënë se kjo është e pasaktë pasi “në asnjë moment nuk është i përfshirë në negociatat e supozuara”.

“Kjo është e pasaktë. Në asnjë moment KFOR-i nuk ishte i përfshirë në negociatat e supozuara. Pasi u ftua për të përforcuar praninë e tij, KFOR-i është koordinuar ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) për të rivendusr sigurinë në zonë. Dhuna që ndodhi në Banjskë erdhi pas një sulmi ndaj paqeruajtësve të KFOR-it në maj të 2023-s, i cili rezultoi në plagosjen e 93 pjesetarëve të personelit të KFOR-it, disa prej të cilëve pësuan lëndime të rënda”- thuhet në reagimin e KFOR-it.

Në reagim thuhet se NATO-ja vazhdon të mbajë qëndrimin se sulmuesit e Banjskës duhet të përballen me drejtësinë.

“Pas dhunës, NATO-ja i ka dislokuar rreth 1,000 paqeruajtës shtesë dhe forca të blinduara më të rënda në Kosovë. Ky ka qenë përforcimi më i madh i kontingjentit tonë në Kosovë brenda një dekade, dhe kjo tregon se NATO-ja është e gatshme të ruajë paqen”- thuhet në komunikatën e KFOR-it.

Në draft-raportin e prezantuar nga Lord Mark Lancaster në Asamblenë Paralmentare të NATO-s më 25.05.2024 është folur edhe për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24.09.2023.

Pika 51 e draft-raportit të Lancaster përmbledh sulmin që ndodhi në Banjskë.

Rreth 8 muaj pas sulmit, në këtë raport zyrtar thuhet se zyrtarët e KFOR-it kanë negociuar për tërheqjen e grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës.

“Pas një periudhe të shkurtër të de-eskalimit gjatë verës, në shtator 2023, rreth 30 persona të armatosur u përleshën me Policinë në Banjskë, në veri të Kosovës dhe u barrikaduan brenda një manastiri ortodoks serb, duke rezultuar në një rrethim që vrau një zyrtar policor dhe tre sulmues. Zyrtarët e KFOR-it negociuan tërheqjen e pjesës tjetër të grupit në pyjet përreth, ku ata u zhdukën. Autoritetet e Kosovës besojnë se potencialisht qindra më shumë luftëtarë ishin duke u fshehur në pyjet në mes Banjskës dhe kufirit serb dhe ata zbuluan një sasi të madhe armësh të afta për të shkaktuar dëme dhe viktima të konsiderueshme – duke përfshirë raketahedhës antitank, mortaja dhe granatahedhës, mina anti-tanke dhe 24 automjete (një e blinduar)” – thuhet në draft-raportin e prezantuar nga Lancaster.

Përveç prezantimit të raportit, Lordi Mark Lancaster ka kërkuar konsensus të aleatëve të NATO-s për zgjerim, duke thënë se ata duhet të konsultohen për të avancuar statusin e Kosovës në këtë organizatë.

Raporti për sulmin në Banjskë: Zyrtarët e KFOR-it negociuan tërheqjen e pjesës tjetër të grupit