Rasti i policit Flamur Rexhaj, IPK tregon nëse do të hetojë drejtorin e Hetimeve të Brendshme në Pejë 

“Drejtoria e Standardeve Profesionale, tani Drejtoria për Hetime të Brendshme, nuk ka zhvilluar ndonjë hetim disiplinor ndaj zyrtari policor Flamur Rexhaj me ankues Naser Brdakiç dhe nuk ka pranuar ndonjë ankesë me emër të këtij ankuesi ndaj këtij zyrtari”.

Është kjo përgjigjja që Policia e Kosovës kishte dhënë për hulumtimin e “Kallxo Përnime” që u transmetua javën e kaluar e ku u paraqitën pretendimet e Brdakiç, i cili thotë se mori para me fajde nga polici Rexhaj.

Familja e Brdakiç pretendon se ka humbur pronën në Pejë shkaku i këtyre fajdeve pasi gjykata kishte vendosur që t’i largojë nga shtëpia me anë të përmbarimit.

Ky rast është hetuar edhe nga Inspektorati Policor i Kosovës, mirëpo pasi Prokuroria Themelore në Pejë kishte vlerësuar se nuk ka elemente të veprës penale ngjarja më pas i ishte referuar Drejtorisë së Hetimeve të Brendshme.

Kryeshefi i IPK-së, Kushtrim Hodaj, në një intervistë për “Kallxo Përnime” vlerësoi se në këtë rast vendimmarrja do duhej të ishte më e ashpër.

Madje, sipas tij, ky rast mund të sjellë edhe një inspektim të jashtëzakonshëm për të parë se si trajtohen rastet nga drejtoria në fjalë.

“Pa dashtë me i paragjyku rrethanat se si është vlerësu, apo se si i kanë vlerësu anëtarët e komisionit kur e kanë vlerësu për masën të cilën ia kanë shqiptu, mirëpo, kjo mund të jetë një prej arsyeve që ne të zhvillojmë një inspektim ndoshta të jashtëzakonshëm për të verifikuar se si trajtohen rastet sidomos kur personat e dyshuar apo zyrtarët policorë janë recidivist dhe kanë një të kaluar” – tha Hodaj.

Sipas kryeshefit, Drejtoria për Hetime të Brendshme është autoriteti përgjegjës për llojin e masës që i shqiptohet zyrtarëve të dyshuar policorë, varësisht prej shkeljes.

“Herë pas here edhe ne zhvillojmë inspektime edhe për të verifikuar mënyrën se si këto drejtori dhe këto komisione i trajtojnë rastet dhe sigurisht që do të jetë ndoshta pjesë e inspektimeve edhe me këto informacione shtesë se si janë trajtu një numër i rasteve të caktuara, sidomos të policëve që janë recidivistë” – shtoi tutje Hodaj.

Ai tha se IPK ka shumë raste në të cilat është vërtetuar fajësia e policëve, e sidomos në rastet ku ka pamje apo video që shihet qartë përdorimi i forcës së paarsyeshme, e sidomos kur kjo ndodhë brenda stacionit të Policisë.

Hodaj shtoi se si IPK janë munduar të japim shembull se nuk ka zyrtarë të paprekshëm, e se kurdo që kanë informacione dhe arrijnë të faktojnë dyshime për përfshirje në çfarëdo lloj krimi, i ndërmarrin masat më të ashpra që parasheh ligji.

Rrëfimi i familjes se si e humbi pronën në fajde – VIDEO