AKP-ja Liroi Vjet 116 Prona

Jashari, mes tjerash, të dhënat për lirimet e i paraqiti në Komisionin Buxhet dhe Financa ku shpalosi Raportin Vjetor Financiar për vitin 2015 të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

“Me fillim të vitit 2015 kemi filluar veprimet intensive kundër uzurpatorëve, me çrast gjatë tërë vitit 2015 janë liruar me asistencën e policisë, apo me veprimet tona tjera 116 prona në pesë rajone kryesore në Kosovë. 194 raste të tjera i kanë nënshkruar kontratat e qirasë, i kanë paguar borxhet të cilat mund të inkasohen,” tha Jashari.

Ai tregoi se këto veprime kanë sjellë rritje të të hyrave nga qiraja.

“Rritja e inkasimit të qirasë 3.2 milionë euro. Gjatë vitin 2015 kanë qenë 27 tenderë publikë dhe janë ofruar me tender 357 prona,” sqaroi Jashari.

Bordi i ri i AKP-së u kompletua në janar të këtij viti, ndërsa u zotua se do të publikojë dhe pastaj publikoi listat e uzurpatorëve të pronave shoqërore.

KALLXO.com shkroi në maj të këtij viti për një aksion të policisë e prokurorisë që liroi prona të AKP-së  në rajonin e Prishtinës dhe Ferizajt.

http://kallxo.com/policia-ne-aksion-per-largimin-e-uzurpatoreve-nga-pronat-e-akp-se/

Më tutje Jashari gjatë prezantimit të raportit të AKP-së tregoi në komision se shpenzimet kapitale dhe ato për mallra e shërbime vitin e kaluar kanë qenë nën planifikimet.

“Shpenzimi i mallrave dhe shërbimeve ka qenë më i ulët se i planifikuar, gjithsej 85 për qind e buxhetit e mallrave dhe shërbimeve të shpenzuar për shkak të mungesës së bordit, planifikimeve të shitjes të cilat nuk kanë mundur të realizohen, shpalljeve për shitje. Për shkak të vështirësive që kemi lidhur me ndërtesën e AKP-së dhe mosdefinimin deri më tani se në cilin objekt do të vazhdojë AKP-ja shpenzimet kapitale kanë qenë 58 për qind,” tha Jashari.

Sipas Avni Jasharit në 2015-ën 7800 kërkesa të kreditorëve janë shqyrtuar, janë paguar 8 milionë euro për 20 përqindëshin e punëtorëve, ndërsa kanë mbetur  edhe 25 milionë euro të tjera për t’iu shpërndarë punëtorëve të ndërmarrjeve shoqërore, por kjo shumë sipas tij pret vendimet finale të Gjykatës Supreme.

Gjithashtu gjatë shfletimit të raportit Jashari foli edhe për shitjet e pronave shoqërore. Tha se deri në fund të viti 2015 kanë qenë të shitura 1286 prona, ndërsa 1699 prona kanë mbetur ende pa u shitur, 462 janë shitur vetëm 44 për qind.

Ai bëri të ditur se pjesa dërrmuese e pronave të pashitura janë ose me probleme kadastrale, ose nëpër gjykata.

Një prej të arriturave të Bordit të Agjencisë së Privatizimit u cilësua transferimi i fondeve tepricë prej 61.3 milionë eurosh në Qeverinë e Kosovës sipas vendimit të bordit të drejtorëve.

Deputetja Besa Gaxherri dha vërejtjet e saj lidhur me raportin e AKP-së për vitin 2015.

“Sa i përket raportit të vitit 2015 ka mjaft dilema, ka mjaft vërejtje. Megjithatë, ju e keni marrë mandatin mbas këtij viti, natyrisht që nuk mund të ua drejtojmë drejtpërsëdrejti,”  tha ajo.

Raportin vjetor të AKP-së për vitin 2015 komisioni e rekomandoi në Kuvend.