Abdixhiku, Hamza e Veseli Polemizojnë për Veteranët e UÇK-së

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i ka akuzuar ish- drejtuesit e UÇK-së për fryrje të listave të veteranëve.

Në seancën e Kuvendit kyu po rishqyrtohet buxheti i vitit 2017, Abdixhiku e ka drejtuar gishtin kah kryetari i Komisionit për Verifikimin e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Fillimisht, ministri i Financave që vjen nga PDK, Bedri Hamza, tha se çështja e pazgjidhur e pagesave për veteranët ka mbetur nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në kohën kur kjo ministri drejtohej nga Arban Abrashi i LDK-së.

“Kush e ka udhëheqë procesin e veteranëve? A ishte në kryeministri e në ministri të punës ministri juaj?”, pyeti ministri Hamza.

Në përgjigjen e tij, Abdixhiku akuzoi Agim Çekun.

“Z. Ministër unë nuk kam problem me ty, se ty t’respektoj për kontabilist të mirë. I ke barazu mirë numrat qashtu qysh të kanë thënë shefat tu, po unë problemin e kam me shefat tu. Agim Çeku ka qenë kryetar i komisionit për veteranë, e krejt ata mas tij. Këtë nuk e ka bërë LDK-ja”, tha Lumir Abdixhiku.

Në këtë situatë ndërhyri kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

“Fole konkretisht, thuja emrin, bo me gisht. Se po du me ni”, tha Veseli.

“Emrin e ka Kadri Veseli, Hashim Thaçi, e komandantat tu. A po pret prej meje me t’ba hetim n’Kuvend a?”, reagoi Abdixhiku

“Ma e randa është kur diçka njerëz mundohen me ia shkatërru dikujt jetën me të pavërteta. Me këto manipulime, ti Lumir e merr naj votë te elektorati anti- UÇK”, tha Veseli.

Debati ka vazhduar edhe më tej me tone të ashpra ndërmjet Veselit e Hamzës në njërën anë dhe Abdixhikut në anën tjetër.