A janë kthyer edhe fëmijët e Lavdrim Muhaxherit?
Sonte në Emisionin “Drejtësia në Kosovë” u transmetuan ekskluzivisht detaje e dëshmi për 4 burrat, 32 gratë dhe 74 fëmijët të cilët pikërisht një javë më parë janë rikthyer nga zonat e konfliktit në Siri.
Koordinatori Nacional kundër Terrorizmit dhe Ekstremizmit, Fatos Makolli tha se fëmijët e Lavdrim Muhaxherit nuk janë kthyer në Kosovë.
“Ne mund të konfirmojmë që fëmijët e Lavdrim Muhaxherit nuk janë të rikthyer me këtë grup në Kosovë”, tha Makolli.
Javën e kaluar në një aksion i cili mund të konsiderohet si një ndër aksionet më të mëdha antiterror në Kosovë, janë rikthyer 110 kosovarë të cilët gjendeshin në zonat e konfliktit në Siri.
4 burra një nga ta i mitur, 32 gra e 74 fëmijë janë rikthyer me një aeroplan mesnatën e së premtes dhe të së shtunës.
Burrat janë arrestuar po atë natë dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë ku më pas i është caktuar masa e paraburgimit ndërsa gratë dhe fëmijët janë dërguar në Qendrën e Azilit në Vranidoll ku më pas janë mbajtur procese gjyqësore për caktimin e masë së sigurisë ndaj grave të rikthyera.
Nëntë nga fëmijët e rikthyer janë pa asnjërin prind.