Burgu i Sigurisë së Lartë - Foto: KALLXO.com
694 të Burgosur Kërkojnë të Falen nga Thaçi
Sipas Zyrës për Informim të Ministrisë së Drejtësisë 694 të burgosur kanë kërkuar sivjet që t’u falen dënimet nga Presidenti Thaçi.
“Numri total i kërkesave për falje që kanë shkuar në Presidencë është 694”, thuhet në përgjigjen e kësaj zyreje.
Presidenti i vendit sipas kushtetutës e ka në kompetencë faljen e të dënuarve në raste të veçanta.
Zakonisht falja bëhet në ditët e shënuara siç është 17 Shkurti-dita e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Të drejtë të falen sipas Kodit Penal të Kosovës nuk kanë ata që ndonjëherë kanë përfituar nga falja presidenciale dhe personat të cilëve nuk u janë bërë të plotfuqishme dënimet.
KALLXO.com i ka shkruar Zyrës së Presidencës për të pyetur nëse i pari i vendit do të falë sivjet të burgosur, por ende nuk ka marrë përgjigje.
Ish-Presidentja Atifete Jahjaga nuk fali asnjë të burgosur në vitet 2015 dhe 2016. Faljen e fundit të të burgosurve ajo e bëri në vitin 2014.
Falja e të burgosurve nisi në vitin 2009 nga ish-Presidenti Sejdiu në njëvjetorin e pavarësisë së Kosovës.
Gazeta Jeta në Kosovë ka shkruar për falje që presidentët u bënë edhe disa personave që duhej të vazhdonin të qëndronin në burg.
Kalkulime Prapa Procesit të Faljes së të Burgosurve