Kalkulime Prapa Procesit të Faljes së të Burgosurve

E drejta e Presidentit të Kosovës që në raste të veçanta të falë të burgosur mund të jetë mbishfrytëzuar në këto katër vitet e fundit. Po ashtu, procesi duket të jetë përshkuar me mospërputhje mes vendimeve ndër vite si dhe mosanalizim të efekteve të faljes në terren. 

Gjatë kësaj periudhe janë falur mijëra herë më shumë të burgosur sesa në vende perëndimore si Italia ose SHBA-ja.

Të falurit kanë qenë të dënuar për vepra të rënda penale përderisa kanë përfituar edhe të dënuarit për korrupsion. Sipas të dhënave, tre presidentë të Kosovës kanë falur 242 të dënuar me 265 vjet burg të shqiptuara nga gjykatat.

Nga 242 të falurit në katër vitet e fundit, 106 prej tyre ishin të dënuar për vrasje, e disa prej tyre edhe për vrasje të rënda.

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar të dhëna konfidenciale të cilat janë hartuar nga katër komisionet e krijuara nga presidentët për të vlerësuar dhe më pas rekomanduar se cilët të burgosur i plotësonin kriteret për t’u falur.

Raporti i parë tregon se Presidentja Jahjaga fali rreth 12 vite burgim për 15 të dënuar.

Sipas raportit, komisioni i ka rekomanduar Jahjagës faljen e 16 të dënuarve, në mesin e të cilëve 6 të dënuar për vrasje dhe 4 të dënuar për vjedhje dhe vjedhje grabitqare.

Komisioni me këtë raport kishte rekomanduar edhe faljen e një të burgosuri të dënuar për detyrim, të cilin nuk e fali presidentja.

Valdete Daka, anëtare e komisionit ad hoc vlerësues të Presidentes Jahjaga, me gjithë faktin se nga shefja e shtetit janë falur edhe të dënuar për vrasje, është e bindur se paneli ka vlerësuar drejtë.

“Në burg nuk shkojnë ata të cilët kanë kryer vepra të mira edhe asnjëra nga veprat penale nuk cilësohen të mira. Ne gjatë vlerësimit udhëhiqemi në bazë të kritereve dhe nëse një i burgosur i ka plotësuar kriteret atëherë ai mund të rekomandohet për t’u falur”, thotë Daka.

Lirohen të sapodënuar

Ndërkohë, në bazë të raportit të parë konfidencial të vitit 2009, Presidenti Sejdiu kishte falur pak më shumë se 49 vjet burg.

foto  
Fatmir Sejdiu  

 

Në mesin e të falurve, sipas raportit, 23 ishin të dënuar për vrasje, nga të cilët 3 për vrasje të rënda, e po ashtu 2 të dënuar për tentim vrasje si dhe 19 të dënuar për vjedhje. Në mesin e të falurve janë edhe 3 të dënuar të cilët në atë kohë nuk e kishin filluar fare vuajtjen e dënimit.

Kurse, me dekretin e dytë të vitit 2010 Sejdiu ka falur 62 të dënuar.

Në mesin e të falurve të Sejdiut të vitit 2010 janë 14 të dënuar për vrasje dhe vrasje të rëndë, 3 të dënuar për tentim vrasje, 11 të dënuar për vjedhje dhe vjedhje grabitqare, 

Edhe në këtë rast në mesin e të dënuarve të falur nga Sejdiu kishte të atillë të cilët fare nuk kanë qenë në burg në kohën kur është dhënë falja, ose edhe të atillë që disa ditë para dhënies së dekretit janë regjistruar në qendrat e paraburgimit.

Sipas  raportit  i dënuari A.Shasivari e ka fituar mëshirën e presidentit gjatë kohës sa ishte në liri, ndërsa të dënuarit tjetër A.Kika, i dënuar për mashtrim, i është zëvendësuar burgimi me burgim me kusht vetëm 20 ditë pasi që kishte filluar vuajtjen e dënimit. E privilegj të  përafërt kishte pasur edhe i dënuari N.Hajdari i dënuar për shpërdorim. Këtij të dënuari i ishte zëvendësuar dënimi nga dënim me burg në dënim me kusht, pa qenë fare në burg.

Edhe për këto dy raste anëtarët e paneleve për falje, mendojnë se kanë vepruar drejt.
Profesori i juridikut Ismet Salhu, i cili ka qenë anëtar komisioni në dy mandatet e presidentit Sejdiu, thotë: “Mund t’ju them me plot ndërgjegje dhe në aspektin profesional se për të gjithë ata që ne kemi bërë propozimin, kanë qenë korrekte dhe e kanë merituar faljen”, thotë Salihu.

Falen të dënuarit për korrupsion

E raporti tjetër i hartuar nga komisioni ad hock i u.d. të presidentit Jakup Krasniqi tregon për një preferencë të këtij të fundit për të falur persona të dënuar për vrasje.

U.d. i presidentit Jakup Krasniqi në total fali 103 të dënuar.

Sipas të dhënave, Krasniqi fali dënimet për 63 raste të vrasjeve në mesin e të cilave 1 vrasje e dyfishtë si dhe 12 vrasje të rënda. Krasniqi po ashtu fali dënimin edhe 13 personave që kryen tentim vrasje si dhe 1 personi që kreu shtytje në vrasje.

foto  
Jakup Krasniqi  

 

Krasniqi fali dënimet për 63 raste të vrasjeve në mesin e të cilave 1 vrasje e dyfishtë si dhe 12 vrasje të rënda.  Krasniqi po ashtu u fali dënimin edhe 13 personave që kryen tentimvrasje si dhe 1 personi që kreu shtytje në vrasje.
 
Krasniqi gjatë mandatit u kujdes të falë edhe të burgosur për korrupsion.

Ai vendosi që zyrtares së ATK-së S. Gashi, e dënuar për përvetësim gjatë detyrës zyrtare, t’i falte 5 muaj burgim nga dënimi i mbetur. Falje përfitoi edhe i dënuari  A.Rakovica i cili vuante dënimin për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Me dekretin e Krasniqit muaj të falur përfitoi edhe i burgosuri tjetër,  Xh.Mehmeti i dënuar për përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës.

Bajram Ukaj, anëtar i panelit vlerësues të krijuar nga Krasniqi, mendon se në 103 rastet e falura nga Krasniqi ishin falur personat e duhur.

“Mendoj se kemi falur personat duhur pasi që i tërë procesi është zhvilluar konform ligjit dhe se komisioni vlerësues ka vendosur njëzëri për personat të cilët janë rekomanduar për t’u falur”, thotë Uka

Dyshime për falje të korruptuara

Avokati Tomë Gashi thekson se në procesin e faljes është krijuar opinioni se po ka ndikime. “Ata që nuk kanë pasur mundësinë të ndikojnë në vendimet e presidencës kanë mbetur të vuajnë dënimin. Kjo e krijon bindjen se këtu ka pasur korrupsion pasi që korrupsioni është edhe nëse i kryen një favor dikujt i cili nuk i ka plotësuar kriteret”, thotë Gashi.

Të dënuarit falen kryesisht në bazë të një raporti të hartuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, në të cilin përshkruhen sjelljet dhe historia e të burgosurve. Por hartimi i këtyre raporteve ka ngritur dyshime se vlerësimet pozitive po bëhen në mënyrë korruptive dhe në bazë të preferencave të caktuara.

Një gjë e tillë është mohuar nga zyrtarët e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Sipas drejtorit të këtij shërbimi, Resmi Hoxhës, vlerësimet nga këto komisione nuk ka shans të kryhen duke paguar para. “Panelet nuk vlerësojnë me para por vlerësojnë sjelljen e të burgosurve  dhe në këtë drejtim këto të thëna janë të pabaza dhe nuk qëndrojnë”, thotë Hoxha.

foto  
Protestë në Prishtinë  

 

Hulumtimi ynë ka treguar se gjatë vitit të fundit ka pasur disa raste kur zyrtarët e burgjeve u kanë dërguar presidencës të dhëna të deformuara për disa të burgosur.

Zyrtarët e burgjeve thonë se të dhënat kanë qenë të plota ndërsa anëtarët e panelit saktësojnë gabimet të cilat po të mos verifikoheshin mirë do të kishin sjellë edhe lajthitjen e komisionit.

“Të gjitha dosjet i kompletojmë në përputhje me dekretin për faljes dhe asesi nuk mundet një dosje të jetë jokomplete për t’u shqyrtuar. Mund të ndodhë në ndonjë rast por është e drejtë e këtyre institucioneve që të kërkojnë kompletimin e dosjeve”, thotë drejtori i burgjeve Resmi Hoxha.

Nga ana tjetër Valdete Daka, anëtare e komisionit vlerësues të presidencës, tregon se në disa raste kanë hasur në të dhëna jo të sakta. “Ka pasur rast kur një të dënuari me 14 vite i janë shkruar vetëm 4 vite burgim apo ka pasur rast kur të dënuarit për vrasje të rëndë i është shkruar se ka kryer vrasje”, thotë Daka, megjithëse nuk mund të thotë nëse këto veprime kanë qenë të qëllimshme.
 
Organi i cili ka heshtur më së shumti përgjatë viteve sa i përket procesit të faljes është Prokuroria e Shtetit. Si duket kjo heshtje tashmë do të thyhet.

Disa ditë më parë, prokurorja Kundër Korrupsionit në Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë, Drita Hajdari, ka filluar të analizojë nëse gjatë proceseve të faljeve ka pasur keqpërdorime. Pas analizimit të këtyre raporteve ajo pritet të marrë një vendim nëse në këtë proces do ketë bazë për nisjen e hetimeve.

Kritere të njëjta, por vendime të ndryshme

Dyshimet se diçka nuk është në rregull u rriten pasi vendimet e panelit për lirim me kusht,  i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, ishin totalisht të ndryshme me vendimet e presidentëve për falje.

Edhe pse këto institucione vlerësojnë me kritere të njëjta për lirinë e një të dënuari,  vendimet e tyre janë shumë të ndryshme.

Sipas të dhënave të siguruara nga Gazeta Jeta në Kosovë, 9 nga 15 të dënuarit e falur nga presidentja Jahjaga ishin refuzuar nga paneli i Ministrisë për lirim me kusht disa muaj para se presidentja t’i falte këta të burgosur.

foto  
Atifete Jahjaga  

 

Ndërsa vetëm një javë pasi që presidentja nxori dekretin, dy prej të falurve të presidentes iu refuzua lirimi me kusht me arsyetimin se qëllimi i dënimit ende nuk ishte arritur.

Fenomeni në fjalë, kur presidenti i falë personat të cilëve u ishte refuzuar lirimi me kusht, ishte prezent edhe në të kaluarën. Sipas të dhënave të siguruara nga zyrtarët e panelit për lirim me kusht, rreth 67 % e të burgosurve të liruar nga Presidenti Sejdiu dhe  Krasniqi ishin refuzuar nga paneli për lirim me kusht.

Nuk kontaktohen familjet

Gjatë hulumtimit, është vërejtur edhe një dukuri të çuditshme: Mungesa e konsideratës ndaj familjeve të viktimave. Edhe pse ligji nuk e parasheh një gjë të tillë, është praktikë nëpër shumë vende të tjera që fjala e familjes së viktimës të jetë e rëndësisë së veçantë.

Hajriz Tashevcit i ishte vrarë vëllai Ragip Tashevci para disa vitesh ndërsa për vrasjen e tij gjykata ka dënuar dy persona. Njërit prej tyre, Dalip Hoxhës, i është falur dënimi prej u.d të presidentit Jakup Krasniqi ndërsa të dënuarit tjetër Ferat Hoxhës iu falën disa muaj burg nga presidentja Jahjaga. 

“Neve nuk ka ardhë askush të na pyes. Nëse qysh ja kanë nisë me falë, atëherë krejt të burgosurit që kanë bërë vrasje duhet me u falë, dhe njerëzit shkojnë gjithë tu kry vrasje”, thotë Tashevci. Sipas tij, të burgosurit e dënuar për vrasje janë duke u shpërblyer nga presidentët dhe kjo, sipas tij, ndikon në shtimin e tyre.

Të falurit iu kthehen krimeve

Ka edhe raste, kur të falurit nga presidentët gjatë këtyre viteve janë kthyer sërish në burg pasi që kryen krime të reja.

Rasti më i rëndë është ai i Fehmi Hotit, i dënuar për grabitje. I dënuari në fjalë ishte falur nga presidenti Sejdiu pasi që për të njëjtin ishte vlerësuar se nuk kishte rrezik se do ta përsëriste veprën.

Këtij të burgosuri me dekretin e Fatmir Sejdiut, në vitin 2009, iu falën 6 muaj burgim nga dënimi i mbetur.

Vetëm 14 muaj  pasi që u lirua nga burgu, Fehmi Hoti vrau gruan e tij J.Canaj. Ajo, ishte shtatzënë, në muajin e  gjashtë.

foto  
Foto: Korab Basha  

 

Babai i viktimës Ramadan Canaj tregon se si nuk e kishte besuar që dhëndri i tij i falur nga presidenti mund të ishte njeri që mund të bënte keq.

“Kur  u martua e kam ditë që ka qenë në burg dhe ish kanë i falun prej presidentit. Nuk ma ka hangër mendja që një burrë i falur prej presidentit mundet me ma mytë mu vajzën”, thotë Canaj.

Ai thotë se presidentët duhet të mendohen mirë dhe të mos falin kriminelë të cilët prapë kryejnë vepra. “Presidentët, nëse falin qesi njerëz, kemi me u mbushë krime sa të dush Presidenti duhet me e shoshitë mirë kënd po e falë”, thotë Canaj.

Mijëra herë më shumë falje se në Perëndim

Në këto katër vitet e fundit deri më tash askush nuk është marrë me sasinë e faljes ose me analizimin e efekteve të saj.

Nëse llogariten tri dekretet e para, mesatarja e faljeve në vit  është 79 falje e që është ekuivalente me 5.4 për qind apo thënë më mirë çdo i 18-ti i burgosur është falur. 

Për dallim nga Kosova, Italia falë vetëm 0.005 për qind të  burgosurve të saj. Shifra më të ulëta të faljes ka edhe republika e Shqipërisë.

foto  
Raport i Presidencës  

 

Italiani Andrea Capussela, i cili për disa vite kishte punuar në Zyrën Ndërkombëtare Civile (ICO), thotë se Kosova falë shumë më shumë njerëz se cilido shtet tjetër të cilin e ka vrojtuar.

“Mesatarisht, deri këtë vit, Kosova ka falë gati 80 kriminelë në vit. Vitin e kaluar ishin 103 dhe 103 është ekuivalent i rreth 7 për qind të gjithsej popullatës në burgje. Për të ju dhënë një shembull krahasimi, SHBA-ja falë mesatarisht 0.001 për qind të popullatës së burgjeve. Kjo është gati dhjetë mijë herë më pak sesa në Kosovë”, thotë Capussela.

Sipas tij Italia falë pesë herë më shumë sesa SHBA-ja, që do të thotë 0.005 për qind. “Këtë vit, Presidentja e Kosovës ka falur 15 kriminelë, që duket se është përmirësim. Është një ulje nga dhjetëmijë herë me lartë se në SHBA në njëmijë herë më e lartë. Pra ende është shumë e madhe”, thotë Capussela.