30 Ditë Paraburgim për 48 Kilogramë Marijuanë

Dy shtetasve të Shqipërisë nga Shkodra dhe një shtetasi kosovar nga Mitrovica u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji nën dyshimin për blerje posedim dhe shpërndarje të paautorizuar të narkotikëve.

Sipas kërkesës së prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit më 6 shtator të këtij viti pas marrëveshjes paraprake, i dyshuari Besnik Deliu u ka shitur të dyshuarve nga Shqipëria Hajrullah Xhekaj e Nexhat Mlloja një pjesë të substancës narkotike të llojit marijuanë.

Prokuroria pretendon se pas kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit Besnik Deliu në Mitrovicë, janë gjetur narkotikë të llojit marijuanë në sasi prej 48, 578 kilogramë.

Gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit me arsyetimin se nëse të dyshuarit janë në liri mund të arratisen nga vendi, ndërsa të gjithë të dyshuarit kanë kundërshtuar pretendimet e prokurorisë.

Edhe Nasuf Hasani, avokati i Nexhat Mllojës thotë se caktimi i paraburgimit nuk është masa e duhur.

“Me asnjë provë të vetme nuk ka arritur të na bindë se i mbrojturi im ka qenë i përfshirë. Duke pasur parasysh edhe tjetrën  se i gjithë rajoni apo edhe Evropa furnizohen me substanca narkotike nga Shqipëria, është e palogjikshme që një shtetas i Shqipërisë ka ba marrëveshje me një shtetas të Kosovës që të vijë të marrë substanca narkotike”, tha avokati Hasani.

Hasani tha më tej se nuk është rrethanë e mjaftueshme për caktimin e paraburgimit vetëm fakti se i dyshuari është shtetas i Shqipërisë.

“Javën e kaluar unë kam pas përvojë ku një shtetas i Shqipërisë është ekstraduar në bazë të kërkesës për në Shqipëri dhe marrëveshja për ekstradimin e personave është nënshkruar nga të dyja qeveritë dhe konsideroj se kjo nuk ka qenë fare rrethanë për të cilën ju ka caktu paraburgimi”, tha Hasani.

Ai do të parashtrojë ankesë në Gjykatën e Apelit.