1,500 punëtorë marrin 20 përqindëshin nga AKP

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka shpërndarë fondet e 20 për qindëshit për 1 mijë e 499 punëtorë të 11 ndërmarrjeve shoqërore.

Në komunikatën e lëshuar nga AKP, thuhet se shuma e fondeve që është në procedurë të shpërndarjes kësaj radhe është mbi 1 milion e 119 euro.

“Në prag të 1 majit, ditës së punëtorëve dhe pasi që janë krijuar kushtet ligjore të parapara me legjislacionin në fuqi që e rregullojnë çështjen e shpërndarjes së fondeve të 20 për qindëshit, Agjencia Kosovare e Privatizimi ka përgatitur dokumentacionin përkatës për shpërndarjen e fondeve të 20%-it për punëtorët e kualifikueshëm të këtyre ndërmarrjeve shoqërore. Shuma e fondeve që është në procedurë të shpërndarjes kësaj radhe është € 1,119,119.68 (Një milion e njëqind e nëntëmbëdhjetë mijë e njëqind e nëntëmbëdhjetë euro e 68 cent)”, thuhet në komunikatë.

Bartja e këtyre fondeve sipas AKP-s do të bëhet në llogarinë e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

“Agjencia deri me tani ka shpërndarë afër 122 milionë euro për 20% dhe nga këto shpërndarje kanë përfituar rreth 47.000 (katër dhjetë e shtatë mijë) punëtorë dhe ish punëtorë të ndërmarrjeve shoqërore. Në ndërkohë, Agjencia është në proces të përgatitjes së dokumentacionit për shpërndarjen e fondeve të 20%-it për punëtorët e kualifikueshëm edhe për disa NSh të tjera, për çka punëtorët e këtyre NSh-ve dhe opinioni i gjerë publik do të informohen në një të ardhme të afërt”, thuhet më tutje.

Sipas AKP-s shpërndarja e fondeve të 20 për qindëshit për punëtorët e këtyre NSh-ve është në proces dhe është duke u realizuar nga BSPK-ja.