1500 Kontrolle për Kancer të Qafës së Mitrës

Projektit për zbulim të hershëm të kancerit të qafës së mitrës nëpërmjet pap-testit sipas komunikatës së Organizatës “Action For Mothers and Children” (Aksionit për Nëna dhe Fëmijë)deri tash i janë nënshtruar 1500 gra dhe vajza të komunës së Prishtinës.

Pap-testi është metoda më e padhembshme e kontrollit për këtë lloj kanceri, ndërsa pacienteve që i nënshtrohen atij u merren qeliza me anë të një furçe, qeliza të cilat pastaj analizohen në laborator.

Organizata njofton për rezultatet e këtyre kontrolleve.

“Rezultatet tregojnë se 10.4% të rasteve kishin rezultate që thërrasin për ekzaminime të mëtutjeshme mjekësore. Nga kjo shifër, 0.7% rasteve janë konstatuar të kenë ndryshime qelizore të një niveli më serioz, të cilat falë diagnostifikimit të hershëm nga ky projekt mund të trajtohen me sukses dhe shërohen,” thuhet në njoftimin e organizatës “Action for Mothers and Children”.

Organizata jofitimprurëse që zhvillon projekte shëndetësore në për klinikat gjinekologjike-obstetrike, bën me dije se testet e tilla do të bëhen një shërbim i rregullt në disa nga qendrat e mjekësisë familjare të Prishtinës

“Komuna e Prishtinës, përkatësisht Drejtorati Komunal për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale tani mundëson vazhdimin-ofrimin e pap-testeve pa pagesë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, Qendrën e Mjekësisë Familjare 5 dhe Qendrën e Mjekësisë Familjare 6 në Prishtinë edhe vitet në vazhdim si shërbim të rregullt në nivelin primar,” njofton organizata.

Pap-testet përveç nga Drejtoria Komunale për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale u bënë të mundura nga Ministria e Shëndetësisë, Instituti i Anatomisë Patologjike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara – UNFPA, Organizata Botërore e Shëndetësisë – OBSH, 700 for Science Foundation dhe iniciativës e koordinimit nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë.