10,000 Euro Dorëzani për Arrest Shtëpiak

I prangosur është sjellë para Gjykatës Themelore në Pejë, në seancën për caktimin e masës së sigurisë, i pandehuri me iniciale M.K,, i cili dyshohet se ka sulmuar me thikë këshilltarin komunal nga radhët e LDK-së, Milazim Shala.

Prokurori i rastit, Agim Kurmehaj, theksoi se i pandehuri me iniciale M.K. më 29 shkurt të këtij viti, në sheshin “Haxhi Zeka”, në Pejë, pas një fjalosjeje e ka goditur me thikë në pjesën e stomakut tashmë të dëmtuarin Milazim Shala.

Këtë vepër, prokurori e ka cilësuar si vrasje e mbetur në tentativë.

Kurmehaj theksoi se aktvendimi për fillimin e hetimeve është bazuar në fakte dhe prova të mjaftueshme, që janë bazë për dyshimin e bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale, e cila i ngarkohet.

Prokurori i propozoi Gjykatës caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin M.K, me arsyetimin se ekziston mundësia që ai të arratiset, ta përsëris veprën dhe që t’i shkatërrojë provat. [interaction id=”56d824d54ab46a010369577c”]

Në anën tjetër, avokati i të pandehurit M.K, Faruk Binakaj, tha për KALLXO.com se e ka kundërshtuar kërkesën e prokurorisë për masën e paraburgimit, duke theksuar se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për shqiptimin e kësaj mase.

Avokati i ka propozuar gjykatës që në vend të paraburgimit ndaj klientit të tij të shqiptohet ndonjë masë më e lehtë, përfshirë dhe dorëzaninë. Ai tha se me pëlqimin e familjes së klientit të tij janë të gatshëm që për dorëzani të deponojnë shumën prej 10.000 euro.

“Nëse kjo gjykatë e vlerëson të nevojshme për t’i shqiptuar ndonjërën prej masave që i potencova, pra paraqitjes në stacionin policor apo arrest shtëpiak, me pëlqimin e familjes të të mbrojturit tim në afat prej 24 orësh kemi propozuar  t’i deponojmë në llogari të gjykatës shumën prej 10 mijë eurosh”, theksoi Binakaj.

Avokati shtoi se nuk është i kënaqur as me kualifikimin juridik të veprës penale – vrasje në tentativë, duke propozuar që ky kualifikim të ndryshohet me veprën penale – lëndim trupor.

“Konsiderojmë që nuk është një cilësim i drejtë për arsye se për t’u trajtuar si “vrasje në tentativë” së pari duhet të ekzistojë dashja, motivi dhe qëllimi si elemente qenësore të veprës penale. Ndërsa, asnjëra prej këtyre elementeve nuk ekzistonte te i mbrojturi im”, tha Binakaj për KALLXO.com.

Ndaj të pandehurit me iniciale M.K., Gjykata e vazhdoi masën e ndalimit policor deri në shpalljen e aktvendimit mbi paraburgimin.

Herën e fundit për ketë rast KALLXO.com ka raportuar më 29 shkurt, ditën kur edhe ka ndodhur ngjarja.

http://kallxo.com/asamblisti-i-pejes-plagoset-me-thike-shkaku-i-emertimit-te-nje-rruge/