Studimi - Vetmia dhe izolimi social faktorët më të mëdhenj të rrezikut të vdekjes tek njerëzit me obezitet

Një studim i fundit i qershorit 2023, sugjeron se adresimi i vetmisë dhe izolimit social mund t’i zvogëlojë rreziqet shëndetësore për individët e klasifikuar si obezë. Vetmia prek shumë njerëz në mbarë botën, por është veçanërisht e përhapur në mesin e atyre me obezitet.

Studimi i lartcekur u publikua në JAMA NetWork Open, një revistë e përmuajshme mjekësore e botuar nga Shoqata Mjekësore Amerikane.

Dr. Lu Qi, autori kryesor i studimit, e thekson rëndësinë e marrjes parasysh të faktorëve të shëndetit social dhe mendor së bashku me zgjedhjet dietike dhe të stilit të jetesës në menaxhimin e çështjeve shëndetësore të lidhura me obezitetin.

Hulumtimi, i bazuar në të dhënat nga BioBank në Mbretërinë e Bashkuar, tregon se njerëzit që raportuan se ndjeheshin më pak të vetmuar dhe të izoluar nga shoqëria kishin një rrezik dukshëm më të ulët të vdekshmërisë me kalimin e kohës në krahasim me homologët e tyre më të izoluar.

Izolimi social u shfaq si një faktor rreziku më i madh për vdekshmërinë, duke përfshirë kancerin dhe sëmundjet kardiovaskulare, sesa depresioni, ankthi ose faktorët e stilit të jetesës, të tillë si konsumimi i alkoolit dhe ushtrimet fizike.

Dr. Philipp Scherer, profesor i mjekësisë së brendshme, vëren se megjithëse gjetjet nuk janë befasuese, ato e nënvizojnë rëndësinë e trajtimit të izolimit social për ta reduktuar vdekshmërinë.

Vetmia është njohur gjithnjë e më shumë si një faktor rreziku i rëndësishëm për rezultate të dobëta shëndetësore, me vetminë kronike që mund të çojë në efekte negative në shëndetin fizik për shkak të rritjes së niveleve të hormoneve të stresit.

Rachael Benjamin, punonjëse sociale e licencuar klinike, e vë theksin tek rëndësia e marrëdhënieve cilësore në luftimin e vetmisë.

Ajo sugjeron introspeksionin për ta identifikuar çdo zakon izolimi të vetë-imponuar dhe i inkurajon individët që të kërkojnë në mënyrë aktive lidhje me të tjerët, edhe nëse ndihen të pakëndshme në fillim.

Ndërtimi i marrëdhënieve kuptimplote kërkon kohë dhe përpjekje, por shpërblimet në drejtim të përmirësimit të mirëqenies mund të jenë të rëndësishme.

Në fund të fundit, nxitja e lidhjeve dhe ndjenja e kuptuar dhe e pranuar janë hapa jetikë drejt luftimit të vetmisë dhe përmirësimit të shëndetit dhe lumturisë së përgjithshme./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala