Humbja e peshës ndihmon në menaxhimin e sëmundjes së astmës

Mediumi prestigjioz amerikan, CNN, ka dalë me një artikull hulumtimi dhe këshillëdhënie lidhur me humbjen e peshës  dhe menaxhimin e sëmundjes së astmës.

Sipas CNN, nëse keni astmë, humbja e disa kilogramëve mund t’ju ndihmojë ta arrini funksionin më të mirë të mushkërive dhe të ndiheni më mirë njëkohësisht.

Duhet marrë parasysh lidhja midis obezitetit dhe astmës

Është mjaft e njohur se njerëzit që janë me mbipeshë ose obezë kanë më shumë gjasa të zhvillojnë astmë. Ajo që ne nuk e dimë me siguri është pse ndodh një gjë e tillë. Shkencëtarët nuk e kanë gjetur lidhjen e saktë midis obezitetit dhe astmës. Disa kërkime sugjerojnë se indet shtesë yndyrore mund të prodhojnë substanca inflamatore që mund të ndikojnë në mushkëri, mirëpo ekspertët paralajmërojnë se lidhja midis astmës dhe obezitetit duket të jetë shumë komplekse.

Megjithatë, ne e dimë se humbja e peshës mund t’i ndihmojë njerëzit të menaxhojnë më mirë astmën e tyre. Humbja e peshës shoqërohet me kontroll më të mirë të simptomave dhe funksion më të mirë të mushkërive.

Nevojitet djersitje

Ushtrimi mund t’ju ndihmojë ta mbani nën kontroll peshën tuaj, gjë që mund t’ju ndihmojë të kontrolloni më mirë astmën tuaj. Mirëpo mos u zhytni menjëherë pa bërë një planifikim paraprak.

Flisni me mjekun tuaj për atë që është e përshtatshme

Simptomat tuaja mund ta bëjnë pak më sfiduese për juve gjetjen dhe vendosjen në një rutinë të re ushtrimesh, por është padyshim e realizueshme. Mjeku juaj mund t’ju ndihmojë ta skiconi një plan veprimi për stërvitjen, duke përfshirë disa udhëzime për marrjen e duhur të ilaçeve dhe trajtimin e çdo simptome që mund të shfaqet gjatë stërvitjes.

Nëse keni pasur ndonjëherë frikë të ushtroheni, mund të ngushëlloheni nga kjo frikë duke e ditur se ekziston një lloj ushtrimi që do të funksionojë për ju. Aktivitetet që kërkojnë shpërthime të shkurtra energjie sesa periudha të gjata përpjekjesh të qëndrueshme mund të jenë më të mira për njerëzit me astmë – ato janë më të lehta për t’u toleruar. Mendoni për lojrat si bejsboll ose volejboll.

Shumë njerëz me astmë gravitojnë gjithashtu drejt notit, i cili i forcon muskujt duke i lejuar gjithashtu të thithin ajër që priret të jetë më i ngrohtë dhe më i lagësht, gjë që ka më pak gjasa ta përkeqësojë astmën e tyre. Ecja dhe shëtitjet mund të jenë gjithashtu zgjedhje të mira për njerëzit me astmë.

Duhet të keni ilaçe në dispozicion

Mund të dëshironi ta mbani inhalatorin tuaj me një ilaç me veprim të shkurtër afër kur bëni ushtrime.

Zhvendoseni aktivitetin tuaj brenda në një ditë të ftohtë

Frymëmarrja në ajër të ftohtë mund t’i bëjë tubat bronkiale në mushkëri të tkurren, ose të ngushtohen, duke e bërë më të vështirë për ju frymëmarrjen. Nëse merkuri shënon rënie, mendoni të shkoni në palestër në vend që të ushtroheni jashtë. Nëse jetoni në një zonë me nivele të larta të ndotjes së ajrit, më mirë do të ishte që ato ushtrime ti bëni brenda.

Riparoni dietën tuaj

Ushtrimi kryen punë, mirëpo një numër në rritje i ekspertëve sugjerojnë që ju gjithashtu duhet të shikoni se çfarë hani – dhe sa prej saj – për t’i dhënë vetes një shans të mirë për të humbur peshë dhe për ta mbajtur atë.

Konsultohuni me një dietolog të regjistruar

Ky mund të jetë një hap i parë i shkëlqyeshëm nëse nuk jeni vërtet të sigurt se ku të filloni. Një dietolog mund t’ju flasë për nevojat tuaja ushqyese dhe qëllimet tuaja për humbje peshe – dhe si t’i balanconi ato në një mënyrë që funksionon për ju.

Mësoni më shumë rreth ushqimit të shëndetshëm

Në përgjithësi, një dietë e shëndetshme është e ngarkuar me drithëra, fruta, perime, mish pa yndyrë dhe bulmet me pak yndyrë. Filloni me porcione dhe ndërprejeni ushqimin sapo ta keni kuptuar se jeni ngopur.

Angazhohuni për ushqim të shëndetshëm

Është mirë të dini se buka me drithëra integrale është një zgjedhje më e mirë se buka e bardhë, por në fakt duhet të hani edhe ushqime më të shëndetshme!  

Bëni ndryshime të tjera në stilin e jetës

Pasi të keni filluar të hani një dietë më të shëndetshme dhe të bëni ushtrime të rregullta, merrni parasysh ndryshime të tjera të vogla në stilin e jetës për të ndihmuar në menaxhimin e peshës tuaj.

Jini më aktiv në përgjithësi. Ekspertët sugjerojnë përfshirjen e ndryshimeve të vogla të stilit të jetës në rutinën tuaj të përditshme për të djegur disa kalori shtesë. Për shembull, ngjitni shkallët në vend të ashensorit. Kur flisni në telefon, ngrihuni dhe ecni përreth ndërkohë që bisedoni. Nëse keni mundësinë të ecni në vend që ta ngasni automjetin, atëherë bejëni një gjë të tillë. Të gjitha ato aktivitete në dukje të vogla janë përfitim shtesë për shëndetin tuaj.

Si përfundim, është e rëndësishme të mbani mend se humbja e peshës nuk do të largojë astmën tuaj. Studimet tregojnë se humbja e peshës shoqërohet me përmirësime në funksionin e mushkërive dhe disa simptoma të astmës, por humbja e peshës nuk duket të jetë e lidhur me ndonjë reduktim të inflamacionit astmatik të rrugëve të frymëmarrjes. Pra, do të keni akoma astmë, por mund të keni kontroll më të mirë mbi simptomat tuaja. Si rezultat, ju mund të ndiheni më mirë dhe të keni një cilësi më të mirë të jetës./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala