Ilustrim

Studimi: Të rriturit me mbipeshë dhe me presion të lartë të gjakut, me shumë gjasa për vdekje të hershme 

Miliona individë të rritur të moshës së mesme, të cilët janë me mbipeshë me presion të lartë të gjakut, kolesterol ose nivele të glukozës, kanë rreth një të tretën më shumë gjasa të vdesin herët, sugjeron një hulumtimi nga Shoqata Evropiane të Kardiologjisë (European Society of Cardiology).

Ata gjithashtu përballen me një rrezik 35% më të lartë të sulmeve në zemër ose goditje në tru dhe do t’i përjetojnë këto dy rreziqe më herët se bashkëmoshatarët e tyre. Këto gjetje po prezantohen në takimin vjetor të Shoqatës Evropiane të Kardiologjisë, konferenca më e madhe në botë mbi zemrën. Ato përfaqësojnë më shumë prova të rreziqeve të menjëhershme që paraqet kriza globale e obezitetit.

Vlerësohet se deri në 31% e popullsisë globale ka sindromë metabolike, megjithëse shumë prej tyre nuk do ta kuptojnë asnjëherë se kanë një sindromë të tillë dhe do të mbeten të padiagnostikuar.

Sindroma metabolike është termi mjekësor që përfshin tri ose më shumë tipare jo të shëndetshme, duke përfshirë të qenit shumë mbipeshë ose të qenit me shumë yndyrë rreth belit, presionin e lartë të gjakut, kolesterolin e lartë ose nivelet e larta të glukozës.

“Shumë njerëz në të 40-tat dhe 50-at e tyre kanë pak yndyrë rreth belit dhe presion të lartë të gjakut, kolesterol ose glukozë pak, por ndihen përgjithësisht mirë, nuk janë të vetëdijshëm për rreziqet dhe nuk kërkojnë këshilla mjekësore”, thotë autorja e studimit, Dr Lena Lönnberg nga spitali i qarkut Västmanland në Västerås, Suedi.

“Ky skenar, i quajtur sindromi metabolik, është një problem në rritje në popullatat perëndimore, ku njerëzit në mënyrë të pavetëdijshme po i grumbullojnë problemet për më vonë në jetën e tyre. Kjo është një mundësi e madhe e humbur për të ndërhyrë përpara se të ndodhin sulmet në zemër dhe goditjet në tru që mund të ishin shmangur”.

Studimet e mëparshme kanë treguar se njerëzit me sindromë metabolike janë në rrezik më të lartë të diabetit, sëmundjeve të zemrës, goditjes në tru dhe vdekjes së parakohshme. Ky studim heton lidhjen midis sindromës metabolike asimptomatike në moshën e mesme dhe sëmundjeve kardiovaskulare dhe vdekjes deri në tri dekada më vonë.

Studimi regjistroi 34,269 të rritur në të 40-at dhe 50-at e tyre, të cilët përcollën një program kontrolli kardiovaskular nga viti 1990 deri në 1999 në qarkun suedez të Västmanland. Pjesëmarrësit shkuan në qendrën e tyre të kujdesit shëndetësor parësor për një ekzaminim klinik nga një infermiere, i cili përfshinte matje të gjatësisë, të peshës, presionit të gjakut, kolesterolit total, glukozës në gjak dhe perimetrit të belit dhe ijeve.

Ata gjithashtu plotësuan një pyetësor në lidhje me zakonet e stilit të jetesës, historinë e mëparshme të sëmundjeve kardiovaskulare dhe diabetit, dhe faktorët socio-ekonomikë, të tillë si arsimi.

Njerëzit klasifikoheshin me sindromë metabolike nëse kishin tri ose më shumë nga këto: një perimetër beli 102 cm ose më lart për burrat dhe 88 cm ose më lart për gratë, një kolesterol total 6.1 mmol/l (milimole për litër. gjaku) ose më lart, 130 mmHg (milimetra merkur) ose presioni i gjakut sistolik më i lartë dhe/ose presioni diastolik i gjakut 85 mmHg ose më i lartë, dhe glukoza e plazmës së agjërimit 5.6 mmol/l ose më e lartë.

Studiuesit analizuan lidhjet midis sindromës metabolike të moshës së mesme dhe ngjarjeve kardiovaskulare jo-fatale dhe vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet pas përshtatjes për moshën, gjininë, duhanpirjen, pasivitetin fizik, nivelin e arsimit, indeksin e masës trupore, perimetrin e ijeve dhe të jetuarit vetëm ose me familjen.

Një total prej 5,084 individësh i plotësuan kriteret për sindromën metabolike dhe u identifikua një grup kontrolli prej 10,168 individësh pa sindromë metabolike; 47% e pjesëmarrësve ishin gra.

Gjatë një përcjelljeje mesatare prej 27 vitesh, 1,317 (26%) pjesëmarrës me sindromë metabolike vdiqën krahasuar me 1,904 (19%) kontrolle – që do të thotë se ata me sindromë metabolike kishin 30% më shumë gjasa të vdisnin gjatë përcjelljes sesa homologët e tyre pa sindromën metabolike.

Sulmet në zemër ose goditjet jo-fatale u shfaqën në 1,645 (32%) pjesëmarrës me sindromë metabolike dhe 2,321 (22%) kontrolle – që korrespondojnë me një rrezik 35% më të madh të sulmit në zemër dhe goditjes në tru në grupin e sindromës metabolike. Koha mesatare deri në sulmin e parë jo-fatal në zemër ose goditje në tru ishte 16.8 vjet në grupin e sindromës metabolike dhe 19.1 vjet në grupin e kontrollit – një ndryshim prej 2.3 vjetësh./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala