Gjysma e botës në rrugën e duhur për të qenë me mbipeshë deri në vitin 2035
Më shumë se gjysma e popullsisë së botës do të klasifikohet si e trashë ose mbipeshë deri në vitin 2035 nëse nuk merren masa, paralajmëron Federata Botërore e Obezitetit.
Më shumë se katër miliardë njerëz do të preken, me normat që pritet të rriten më shpejt tek fëmijët, thotë raporti i kësaj federate.
Vendet me të ardhura të ulëta ose të mesme në Afrikë dhe Azi pritet të shohin rritjet më të mëdha.
Raporti parashikon se kostoja e obezitetit do të arrijë në më shumë se 4 trilionë dollarë në vit deri në vitin 2035.
Presidentja e federatës, profesoresha Louise Baur, i përshkroi gjetjet e raportit si një paralajmërim të qartë për vendet që të veprojnë tani ose të rrezikojnë pasoja në të ardhmen.
Raporti në veçanti e vë theksin tek normat në rritje të obezitetit midis fëmijëve dhe adoleshentëve, me norma që pritet të dyfishohen nga nivelet e vitit 2020 si tek djemtë ashtu edhe tek vajzat.
Profesoresha Baur tha se tendenca është “veçanërisht shqetësuese”, duke shtuar se “qeveritë dhe politikëbërësit në mbarë botën duhet të bëjnë gjithçka që munden për ta shmangur kalimin e kostove shëndetësore, sociale dhe ekonomike tek gjenerata e re ” duke i vlerësuar “sistemet dhe faktorët rrënjësorë” që kontribuojnë në obezitet.
Efektet e përhapjes së obezitetit në vendet me të ardhura më të ulëta theksohen gjithashtu në raport. Nëntë nga 10 vendet me rritjen më të madhe të pritshme të obezitetit globalisht janë shtete me të ardhura të ulëta ose të mesme në Afrikë dhe Azi.
Arsyet i përfshijnë tendencat në preferencat dietike drejt ushqimeve më të përpunuara, nivele më të larta të sjelljes sedentare, politika më të dobëta për ta kontrolluar furnizimin dhe marketingun e ushqimit, dhe shërbime të kujdesit shëndetësor me burime më pak të mira për të ndihmuar në menaxhimin e peshës dhe edukimin shëndetësor.
Vendet me të ardhura më të ulëta janë “shpesh më pak të afta për t’iu përgjigjur obezitetit dhe pasojave të saj”.
Gjetjet vlerësojnë se rritja e normave të obezitetit në mbarë botën do të ketë një ndikim të rëndësishëm në ekonominë globale, duke barazuar me 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto global.
Raporti i lartcekur thotë se njohja e ndikimit ekonomik të obezitetit “nuk është në asnjë mënyrë reflektim i fajit ndaj njerëzve që jetojnë me obezitet”.
Të dhënat e publikuara në raport do të paraqiten në OKB të hënën.
‘I trashë’ është një term mjekësor që përdoret për ta përshkruar një person me një tepricë të lartë të yndyrës në trup.
Raporti e përdor indeksin e masës trupore (BMI) për t’i bërë vlerësimet e tij. BMI llogaritet duke e pjesëtuar peshën e një të rrituri me katrorin e gjatësisë së tyre./BBC
Përgatiti: Nuhi Shala