Ilaçi Wegovy kundër diabetit mund të ndihmojë miliona njerëz të luftojnë mbipeshën dhe sëmundjet kardiovaskulare

Problemi i obezitetit dhe diabetit në SHBA ka marrë përmasa epidemike. Prandaj, nuk është për t’u habitur që industria farmaceutike po kërkon intensivisht barna dhe terapi të reja.

Një ilaç për diabetin i quajtur ëegovy mund të jetë potencialisht një zgjidhje e rëndësishme për humbje peshe për një numër të madh të të rriturve në SHBA, rreth 93 milionë njerëz për të qenë të saktë, sipas gjetjeve të një studimi të fundit.

Ky projeksion ka implikime të rëndësishme, duke e reduktuar potencialisht obezitetin me rreth 43 milionë njerëz dhe duke parandaluar afërsisht 1.5 milionë sulme në zemër, goditje në tru dhe komplikime të tjera kardiovaskulare gjatë një dekade.

Këto vlerësime, të formuluara nga një ekip kërkimor në Universitetin e Kalifornisë, Irvine (UCI), janë nxjerrë nga një studim i fundit i 1,961 të rriturve. Hulumtimi u fokusua tek njerëzit obezë të cilët morën një dozë javore prej 2.4 miligramësh semaglutide, përbërësi farmaceutik që përbën bazën e Wegovy. Hulumtimi është publikuar në revistën Cardiovascular Drugs and Therapy.

Rezultate mahnitëse

Duke përdorur një dozë të miratuar tashmë nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave në SHBA (FDA), rezultatet ishin befasuese: një humbje mesatare peshe prej 14.9 për qind dhe një reduktim i faktorëve të rrezikut që lidhen me problemet kardiovaskulare, si presioni i gjakut dhe lipidet.

Nathan Wong, profesor i mjekësisë në UCI, e përshëndet këtë zhvillim si një përparim të rëndësishëm në fushën e obezitetit dhe mjekësisë kardiovaskulare.

Është një nga përparimet më të mëdha në botën e obezitetit dhe mjekësisë kardiovaskulare. “Tani kemi një terapi të menaxhimit të peshës që gjithashtu i redukton ndjeshëm ngjarjet kardiovaskulare jashtë popullatës diabetike ku u studiua fillimisht”, thotë Wong.

Si funksionon procesi?

Semaglutide funksionon duke imituar hormonin natyral GLP-1 që lirohet në zorrë gjatë vakteve. Ndër rolet e tij është ta stimulojë prodhimin e insulinës, e cila ul nivelin e sheqerit në gjak, një aplikim i përdorur më parë në trajtimin e diabetit.

Shkencëtarët kanë zbuluar gjithashtu aftësinë e tij për të synuar rajonet e trurit përgjegjës për sinjalizimin e ngopjes, duke çuar në shtypjen e oreksit. Ky mekanizëm mund të rezultojë në humbje të konsiderueshme në peshë kur kombinohet me një dietë të kontrolluar dhe regjim ushtrimesh.

Një vlerësim prej 93 milionë përdoruesve të mundshëm është nxjerrë nga kriteret e sondazhit dhe është aplikuar për popullatën më të gjerë të SHBA. Megjithatë, studiuesit e theksojnë rëndësinë e konsultimit me një profesionist mjekësor përpara se të filloni ndonjë regjim trajtimi.

Kufizimet aktuale të përdorimit

Miratimi i Semaglutide aktualisht është i kufizuar në menaxhimin kronik të peshës tek të rriturit që janë obezë ose me mbipeshë, së bashku me të paktën një gjendje të lidhur me peshën si presioni i lartë i gjakut, diabeti i tipit 2 ose kolesteroli i lartë.

Zgjerimi i mundshëm i përdorimit të semaglutidit dhe barnave të ngjashme mund të jetë në përgjigje të kërkesës në rritje, pasi parashikimet tregojnë se deri në vitin 2030, gjysma e të rriturve amerikanë mund të përballen me obezitetin, me gati një të katërtën që bien në kategorinë e obezitetit të rëndë. Kjo rrit ndjeshëm rrezikun e problemeve të ndryshme shëndetësore, duke përfshirë sëmundjet e zemrës dhe dështimin e zemrës.

Kjo duhet të merret parasysh për pacientët që janë obezë ose me mbipeshë me faktorë të tjerë rreziku për të cilët sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i paaftësisë dhe vdekjes, thotë Wong./Science Alert

Përgatiti: Nuhi Shala