Ilustrim

Dëmi që shkakton kafeja tek fëmijët, përse prindërit ua lejojnë konsumimin?

Pavarësisht paralajmërimeve prej vitesh nga pediatër dhe profesionistë shëndetësorë se kafeja dhe pijet e tjera me kafeinë si pijet e gazuara mund të jenë të dëmshme për të rinjtë, prindërit i lejojnë fëmijët e tyre – madje edhe ata që ende ecin këmbadoras – të konsumojnë ato pije.

Një studim i vitit 2015 gjeti se 14% e të anketuarve i lejonin 2-vjeçarët e tyre të pinin mes 1 dhe 4 gëllënjka kafe në ditë (gjysmë filxhani kafe).

Akademia Amerikane e Pediatrisë rekomandon të mos jepen kafe, çaj, pije të gazuara ose produkte të tjera për fëmijët nën 12 vjeç, ndërsa adoleshentët mes 12 dhe 18 vjeç duhet të kufizojnë marrjen e tyre në më pak se 100 miligramë në ditë – përafërsisht sa një filxhan kafeje.

Nuk është vetëm kafe. Një shishe pije sportive/fitnesi mund të përmbajë gati 250 miligramë kafeinë në varësi të markës, sipas një hetimi të Consumer Reports. Një filxhan çaj mund të ketë deri në 47 miligramë, ndërsa një pije e gazuar dietike deri në 46.

Çokollata ka gjithashtu pak kafeinë, me sasi që rritet tek cokollata e zezë. Një grusht kokrra kafeje të mbuluara me çokollatë mund të kenë 336 miligramë kafeinë, sipas Departamentit Amerikan të Bujqësisë.

Madje, në treg mund të blihen edhe çamçakëz me kafeinë – dhe të mos harrojmë akulloren me shije të kafesë.

Në çfarë moshe mund të pini kafe?

Për shkak se fëmijët janë zakonisht më të vegjël në madhësinë e trupit, nevojitet më pak kafeinë për të dëmtuar funksionimin e tyre. Një sasi e parëndësishme për një të rritur mund të jetë dërrmuese për një fëmijë të vogël.

Sasia e madhe e kafeinës mund të rrisë rrahjet e zemrës dhe presionin e gjakut, të kontribuojë në refluksin e acidit dhe të shkaktojë ankth dhe shqetësime të gjumit tek fëmijët. Në doza të larta, kafeina mund të jetë edhe më e rrezikshme.

“Fëmijët sillen në dhomën e urgjencës me rrahje zemre të çrregullt ose me atë që ne e quajmë takikardi ose rrahje të shpejtë të zemrës,” tha pediatri Mark Corkins. “Disa njerëz mendojnë se është mirë t’u jepni të vegjëlve pije me gaz.”

Limitet bazohen kryesisht në madhësinë e trupit dhe ato kufij rriten kur fëmija është rritur mjaftueshëm për të metabolizuar kafeinën më lehtë.

Megjithatë, nëse fëmijët janë të vegjël, ose kanë migrenë, probleme me zemrën ose kriza tjera, mund të jenë edhe më të ndjeshëm, sipas Akademisë Amerikane të Psikiatrisë së Fëmijëve dhe Adoleshentëve.

Me gjithë këtë paralajmërim të keq, pse prindërit i lënë fëmijët të pinë kafe?

E gjitha nis kur fëmijët e vegjël fillojnë të kërkojnë pije me kafeinë si kafe “sepse shohin prindërit dhe vëllezërit e motrat më të mëdhenj duke e pirë atë – është një gjë per te rritur”, tha Corkins, shefi i divizionit të gastroenterologjisë pediatrike, hepatologjisë dhe ushqimit në Qendrën e Shkencave Shëndetësore të Universitetit të Tenesit në Memphis.

Për shkak se prindërit e perceptojnë atë si të padëmshme – dhe ka të ngjarë të jetë në sasi të vogla – ata i lënë fëmijët të pinë një ose dy gllënjkë, tha Corkins. “Megjithatë, sapo prindërit e  fillojnë këtë, kjo bëhet si një rrugë e rrëshqitshme dhe për ta është më e lehtë për t’i lënë fëmijët të pinë cfarë duan sesa të luftojnë me ta”.

Shtesat tjera sipër kafesë mund të ndikojnë në të ushqyer

“Problemi  tjetër me fëmijët që pinë kafe është se ka pak vlerë ushqyese dhe po zëvendëson diçka që duhet të jetë e plotë ushqyese, si qumështi dhe uji,” tha Corkins. “Qumështi është i mbushur me kalcium dhe vitaminë D, kurse uji është një lëndë ushqyese. Ne jemi si 60% ujë”.

Pastaj kemi edhe shtesat që vendosen mbi kafe. Kanë ikur kohët kur kafeja thjesht vinte me një copë sheqer. Kafenetë në pothuajse çdo cep tani ofrojnë dhjetëra mënyra për të shijuar pijen tuaj të zgjedhur.

“Këto pije janë në thelb një ëmbëlsirë,” tha Corkins. “Ato kanë shkumën dhe shurupet e aromatizuara, me spërkatjet sipër. Duken më mirë se disa nga ëmbëlsirat që kam parë”- tha ai.

Sheqernat shtesë dhe kremrat e rëndë shtojnë yndyrë dhe kalori, ndërsa versionet pa sheqer mund ta ekspozojnë një fëmijë ndaj ëmbëlsuesve artificialë.

Cili është përfundimi? “Shmangni kafeinën! Pse u duhen fëmijëve tuaj?” ka thënë Corkins.

“Kafeina është  stimulues që rrit vigjilencën. Nëse fëmija juaj ndjen se ka nevojë për kafeinë për të kaluar ditën, do të ishte më mirë të punoni me një pediatër për të identifikuar shkakun rrënjësor të asaj që po krijon lodhjen në radhë të parë, e jo ti lejoni konsumim kafeje”. CNN

Përgatiti: Ardita Zeqiri