Rasti i Fajdeve: Provat e Prokurorisë për të arrestuarin e gjashtë në grupin e ‘Currit’

Gjykata e Prishtinës i ka caktuar një muaj paraburgim Zekë Jasiqit, të dyshuarit për veprat penale të detyrimit dhe fajdesë.

Zekë Jasiqi është i dyshuari i gjashtë për të cilin Prokuroria pretendon se është i përfshirë në grupin e Ismet Osmanit “Currit”.

Paraburgim për grupin e Ismet Osmanit – Currit

Ai deri më tani kishte qenë në arrati.

Sipas Prokurorisë, palë e dëmtuar në këtë rast është Faton Dalladaku, të cilin Prokuroria pretendon se Zekë Jasiqi e kishte detyruar t’ia paguajë një borxh i cili nuk kishte ekzistuar.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Z.J. në periudhën 2014-2015 me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, me kanosje serioze kishte kërkuar nga i dëmtuari F.D të kryejë veprime në dëm të pasurisë së tij duke i imponuar një borxh që nuk kishte ekzistuar”, thuhet në komunikatën për media të Gjykatës së Prishtinës.

Më tej Prokuroria përshkruan se Zekë Jasiqi nuk i ishte përmbajtur marrëveshjes me të dëmtuarin Faton Dalladaku i cili kishte kërkuar borxh nga Zekë Jasiqi me qëllim që ta paguante ratën e fundit të shtëpisë që e kishte blerë.

Por, sipas Prokurorisë, i dyshuari Zekë Jasiqi më pas i kishte kërkuar të dëmtuarit Faton Dalladaku shumë të madhe të parave me kamatë mujore prej 1%, të hollat të cilat janë transferuar në emër të personit të tretë B.P.

Ndërsa Prokuroria pandeh se më pas shtëpia të cilën e kishte blerë Faton Dalladaku kishe kaluar në emër të Zekë Jasiqit.

“I pandehuri Z.J. kishte shtuar presionin lidhur me borxhin dhe nuk i ishte përmbajtur marrëveshjes verbale me të dëmtuarin F.D. për t’i huazuar para për të paguar ratën e fundit të shtëpisë që i dëmtuari kishte blerë. I pandehuri Z.J. i kishte kërkuar shumë të madhe të hollash të dëmtuarit F.D. me kamatë mujore 1 përqind, duke i transferuar këto të holla në llogarinë e B.P., me ç’rast shtëpia e blerë nga i dëmtuari kishte kaluar në emër të Z.J. Me këto veprime inkriminuese ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale që i vihen në barrë”, thuhet në komunikatën e Gjykatës së Prishtinës.

I dëmtuari Faton Dalladaku është i përfshirë edhe në një rast tjetër, ku të dyshuar janë pesë persona nga grupi i “Currit”.

Dosja e Prokurorisë për grupin e “Currit”, kamata e fajdeve 7%në muaj

Sipas Prokurorisë, në atë kohë të dyshuarit Rrahim Hashimi dhe Ekrem Lika nëpërmjet Sami Nikës i kishin dhënë Faton Dalladakut, fajde në vlerë prej 350 mijë euro.

Për sigurimin e kthimit të borxhit ata kishin lidhur kontratë mbi shitblerjen e shtëpisë në lagjen Pejton, ku i dyshuari Sami Nika ishte evidentuar si pronar i saj.

Faton Dalladaku për 350 mijë eurot e marra ishte ngarkuar me kamatë mujore 7%,  apo 25 mijë euro në muaj, dhe gjatë dy muajve ai kishte paguar kamatën 50 mijë euro, te Sami Nika, e i cili më pas i kishte dhënë Rrahim Hashimit e Ekrem Likës nga 10 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, Ismet Osmani, Sami Nika dhe Ilir Bojku, e kishin kërcënuar Faton Dalladakun dhe i kishin shkuar në shtëpi dhe ia kishin marrë çelësin e shtëpisë në momentin kur ky i fundit kishte dështuar t’ua kthente 350 mijë eurot e marra në fillim.

Në dosje të prokurorisë thuhet se disa muaj më vonë ata e kishin detyruar Faton Dalladaku që t’ua japë një pronë 3 hektarëshe e cila kishte vlerë rreth 900 mijë euro në këmbim të borxhit i cili deri atëherë kishte arritur në 700 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, edhe pse ia kishin marrë pronën me vlerë 900 mijë euro për 700 mijë euro borxh, ata nuk ia kishin kthyer shtëpinë në Pejton të cilën në vitin 2017, Sami Nika ia kishte shitur Adil Thaqit.

19 Qershor 2019 - 15:16

Shyhrete Maliqi 19/06/2019 - 15:16
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend