Lokali ku dyshohet se u helmuan qytetarët në Malishevë. Foto: AUV

Dosja e Prokurorisë: Në regjistra figurojnë 113 të helmuar nga lokali në Malishevë mes tyre edhe fëmijë

Prokurori Qazim Xharra ka filluar hetimet ndaj të dyshuarit K. Sh., pronari i një lokali ku shërbehet ushqim i shpejtë në Malishevë nën dyshimet se i njëjti vuri në qarkullim produkte të dëmshme ushqimore.

Kjo pas ankesave për probleme shëndetësore kryesisht helmim të dhjetëra qytetarëve të cilët ishin lajmëruar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë dhe Spitalin Rajonal të Prizrenit.

Disa nga të helmuarit sipas raporteve zyrtare kanë vazhduar trajtim edhe në QKUK. Dosjen hetimore të cilën ka siguruar KALLXO.com dhe kërkesën për caktimin e masës së sigurisë të cilën ka kërkuar prokurori Xharra përshkruhen veprimet që dyshohet se ka kryer pronari i lokalit K. Sh.

Prokurori Xharra pretendon në dosjen e tij se nga një datë ende e pavërtetuar e deri në ditën kritike më 13 tetor, i pandehuri në lokalin e tij në Malishevë, pronë e të njëjtit kishte vënë në prodhim dhe qarkullim artikuj ushqimor të mishit dhe produkteve të tij, soseve si dhe artikuj të tjerë, të cilat janë konsumuar nga mbi 100 të dëmtuar dhe si rezultat i këtij konsumimi të njëjtit janë helmuar për çka edhe kërkuan ndihmë mjekësore në QKMF në Malishevë, në Spitalin Rajonal “Daut Mustafa” në Prizren si dhe në QKUK në Prishtinë dhe si rezultat i këtij helmimi kanë pësuar dëmtime të rënda për shëndetin.

Prokurori kishte thënë në kërkesën për caktimin e masës së sigurisë se pas analizimit të shkresave të lëndës, se ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit pasi ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet dhe se ky dyshim i bazuar vërtetohet nga raporti i policisë, deklarata e një të dëmtuari, udhëzimi i lëshuar nga QKMF në Malishevë për të dëmtuarin M. K., dhe listën e pacientëve të tjerë për të cilin thotë se kanë qenë 113 të tillë që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në bazë të regjistrit të QKMF-së.

Gjithashtu prokurori pretendon edhe se ishte bazuar edhe në procesverbalin e Inspektoratit Sanitar të AUV, raportit të Forenzikës, fotografive dhe Inspektorit Sanitar.

Prokurori Xharra në kërkesë kishte theksuar ndikimin në dëshmitarë dhe të dëmtuar si dhe peshën e veprës penale, si kryesore që ndaj të pandehurit të caktohej masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

“Duke pasur parasysh se procedura është në fazën fillestare të hetimeve dhe gjatë zhvillimit të kësaj procedure duhet të dëgjohet të dëmtuarit, i pandehuri, dëshmitarët eventual, do të bëhen ekspertiza të ndryshme mjekoligjore, fitosanitare dhe ekzaminime të tjera të nevojshme me qëllim të zbardhjes së kësaj çështje penale ashtu që me qëndrimin e të pandehurit në liri, ka arsye bindëse për të besuar se i njëjti mund të ndikoj në të dëmtuarit, dëshmitarët”- thuhet në kërkesën e masës së sigurisë që ka arritur ta siguroj KALLXO.com.

Si pasojë e këtyre veprimeve hetimore që priten të ndërmerren edhe më tutje, prokurori ka potencuar se i pandehuri nuk duhet të jetë në liri apo në një masë tjetër të sigurisë pasi që mund të pengoj rrjedhën e procedurës penale, mund të bëj asgjësimin, fshehjen ose falsifikimin e provave të veprës penale.

Gjithashtu te pesha e veprës penale, prokurori Xharra ka potencuar edhe se mënyra dhe rrethanat me të cilat është kryer vepra penale, e sidomos faktin se nga konsumimi i ushqimit tek lokali i të pandehurit deri më tani janë helmuar më shumë se 113 të dëmtuar ndër ta edhe fëmijë të moshave të vogla, e që numri është në rritje e po ashtu edhe dëmet e rënda shëndetësore, për të cilin fakt edhe të dëmtuarit jane duke u trajtuar në klinikat infektive, e po ashtu edhe në repartet pediatrike.

Të gjitha këto pretendime të prokurorit Xharra i mori parasysh gjyqtari i procedurës paraprake Njiazi Morina i cili vendosi që të caktoj masën e paraburgimit prej 30 ditësh për pronarin e lokalit, K. Sh.

Ndonëse deklarata e tij ishte e shkurtë para gjyqtarit, në të cilën deklarim ai mbështeti atë çka tha avokati i tij, tutje shtoi se nëse i caktohet masa e arrestit shtëpiak premton se të njëjtën masë do ta respektonte.

K. Sh., ishte arrestuar mbrëmjen e 13 tetorit ndërsa masa e ndalimit i ishte caktuar në orën 22:30. Ai fillimisht ishte dërguar në ndalim për 48 orë ndërsa gjatë ditës së djeshme ka dalë në seancën për caktimin e masës së sigurisë, masë këtë të cilën e kërkoi Prokurori i Gjakovës, Qazim Xharra.

Në seancën për caktimin e masës së sigurisë, avokati i të pandehurit K. Sh., Emrush Kastrati ka kundërshtuar kërkesën e paraburgimit duke thënë se nuk ka dyshim të bazuar se klienti i tij ka kryer veprën penale të cilën pretendon prokurori Xharra.

“Kjo për faktin se në ditën kritike edhe më herët kur supozohet se e paska kryer këtë vepër penale, konsiderojmë se ka vetëm indice apo supozime të mundshme mes edhe vetë familja e tij, miqtë dhe i dyshimti janë ushqyer në atë lokal dhe nuk kanë pasur kurrfarë probleme shëndetësore”- ka thënë avokati Kastrati gjatë seancës.

Ai madje përmendi faktin se klienti i tij posedon edhe dy lokale në dy lokacione të tjera, në Fushë Kosovë dhe Prishtinë dhe se në këto dy lokale nuk ka pasur ndonjë person i cili është lajmëruar se ka pasur probleme nga ushqimi.

“Sido që të jetë në këtë drejtim rezulton se ankesat e të dëmtuarve pak a shumë mund të jenë edhe supozime se kërkesat e tyre për mbrojtje shëndetësore ka rezultuar nga ushqimi që kanë marrë në lokalin e të dyshuarit, për më tepër autoritetet e QKMF-së në Malishevë deklarojnë se në vazhdimësi ka ankesa e që kanë simptoma të njëjta por që nuk janë ushqyer në lokalin e të dyshuarit, e që ky element na tregon se dyshimi është vetëm si supozim fillestar”- shtoi avokati në seancë.

Gjatë seancës avokati përmendi faktin se edhe ai edhe klienti i tij shprehin keqardhje për situatën që ishte krijuar për të gjithë të helmuarit.

Avokati gjatë seancës kishte thënë se klientit të tij do të duhej t’i caktohej masa e arrestit shtëpiak nëse vlerëson gjykata një masë të tillë duke pasur parasysh se duhej pritur edhe raportet e sakta pas analizave që janë kryer në lokalin e të pandehurit.

Me të gjitha pretendimet e avokatit ishte pajtuar gjatë seancës edhe i pandehuri K. Sh.

“Pajtohem me të gjitha ato që i tha avokati im dhe shtoj se në qoftë se gjykata ma shqipton masën e arrestit shtëpiak unë premtoj publikisht se të njëjtën do ta respektoj”- kishte thënë gjatë seancës që u mbajt dje në Gjykatën e Gjakovës, i pandehuri K. Sh.

Në orët e pasdites dhe mbrëmjes së 13 tetorit dhjetëra persona kërkuan ndihmë mjekësore në QKMF në Malishevë dhe Spitalin Rajonal të Prizrenit nën dyshimin se ishin helmuar.

Situata e krijuar të premten mbrëma javën e kaluar, bëri që institucione të ndryshme të dilnin në terren për të parë dhe zbardhur rastin që ndodhi me problemet shëndetësore që u shfaqën te qytetarë të ndryshëm.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Malishevës, Hajdin Berisha të shtunën kishte reaguar duke kërkuar nga organet përgjegjëse që të zbardhin rastin që ndodhi atje.

Ai madje konfirmoi se kishin mobilizuar staf shtesë shëndetësor për shkak të numrit të madh të qytetarëve që kërkuan trajtim mjekësor.

Dosja e prokurorisë shpjegon se përveç të rriturve që shfaqën simptoma helmimi, në mes të tyre ishin edhe disa fëmijë.

Lokali i të pandehurit K. Sh., është mbyllur nga inspektorati sanitar.

Çka deklaroi në gjykatë pronari i lokalit në Malishevë në të cilin dyshohet se u helmuan dhjetëra persona