Vrasja në tentativë me sëpatë, Prokuroria e Pejës kërkon paraburgim për të dyshuarin

Një 40-vjeçar ra në pranga të Policisë së Kosovës pasi dyshohet se tentoi të vriste me sëpatë një person tjetër më 28.02.2024 në Pejë.

Sipas dosjes së Prokurorisë së Pejës, ngjarja ka ndodhur më 28.02.2024 rreth orës 17:00, ndërsa i dyshuari me inicialet I.I. u arrestua disa orë më vonë.

Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata që për të pandehurin të caktojë masën e paraburgimit.

Në kërkesën e Prokurorisë e edhe në aktvendimin për fillimin e hetimeve, të cilat i ka siguruar KALLXO.com, tregohet se deri më tash janë marrë në pyetje disa persona e është sekuestruar edhe një telefon.

Ngjarja kishte ndodhur pranë një lokali në rrugën “Konferenca e Bujanit” në Pejë. Aty i pandehuri fillimisht kishte pasur një fjalosje me të dëmtuarin A.J., e më pas e kishte goditur atë më sëpatë.

Dosja e Prokurorisë tregon se bishti i sëpatës ishte përdorur nga i pandehuri për t’i shkaktuar dëmtime trupore të dëmtuarit.

“Në një moment i pandehuri e merr sëpatën të cilën e kishte gjetur në vendin e ngjarjes dhe e godet të dëmtuarin me bisht të sëpatës në kokë dhe në pjesë të ndryshme të trupit me ç’rast i shkakton lëndime trupore” – thuhet në dokumentet e siguruara.

Tutje në këto dokumente thuhet se i pandehuri me dashje dhe me mjet të rrezikshëm-me sëpatë ka tentuar të privojë nga jeta të dëmtuarin A.J.

Dokumentet tregojnë po ashtu se i pandehuri I.I. pasi goditi viktimën u largua nga vendi i ngjarjes me një motoçikletë ngjyrë hiri së bashku me një person tjetër.

Personi i fundit thuhet se e kishte dërguar të pandehurin deri në shtëpinë e tij, ndërsa pas kësaj i dëmtuari A.J. ishte paraqitur në stacionin policor në Pejë, ku e kishte lajmëruar rastin.

Lidhur me rastin, organet e drejtësisë e të rendit morën në pyetje disa dëshmitarë. Njëri nga ta e kishte parë se si kishte ndodhur e gjithë ngjarja.

Ai ka deklaruar se përpara lokalit kishte vërejtur dy persona, dhe njëri prej tyre, i pandehuri, kishte qenë duke e goditur me një mjet të fortë të dëmtuarin në regjionin e kokës.

Dosja tregon se dëshmitari me pas kishte vërejtur se i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes me një “Skuter” ngjyrë hiri.

Organet kanë intervistuar edhe të dyshuarin I.I., i cili ka deklaruar se derisa kishte qenë në lokal, pranë të cilit ka ndodhur ngjarja, kishte vërejtur të dëmtuarin A.J. teksa kishte zbritur nga vetura e tij dhe ishte nisur në drejtim të lokalit.

Pas kësaj, dosja tregon se I.I. kishte dalë nga lokali dhe kishte filluar që të debatojë me të dëmtuarin lidhur me disa mosmarrëveshje që kishin pasur më herët.

Tutje theksohet se i dyshuari ka deklaruar se pranë vendit ku gjendeshin kishte parë një sëpatë dhe më të e kishte sulmuar të dëmtuarin duke e goditur me bisht të sëpatës në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Prokuroria në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ka thënë se vepra e të pandehurit bën pjesë në grupin e veprave të rënda penale dhe se i njëjti është i njohur nga organet e ndjekjes si recidivist i veprave të ndryshme.

Tentim vrasja me sëpatë në kokë, detaje nga Prokuroria në Pejë