Afera me rezervat shtetërore - Çfarë thotë dosja e Prokurorisë për Ridvan Muharremin?

Në dosjen 12-faqëshe të Prokurorisë të cilën e ka siguruar KALLXO.com janë përshkruar me detaje veprimet dhe mosveprimet e tre të dyshuarve, dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe një afarist, nën dyshimin për keqpërdorimin e rezervave shtetërore.

Gjithmonë sipas dosjes së Prokurorisë, thuhet se ka qenë i paraparë furnizimi në sasi prej 10 mijë tonë me çmim 4,834,778 euro; 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kilogramë sheqer, me çmim prej 276 mijë euro, shuma këto të paguara në tërësi në formë të avansit.

Mirëpo, Prokuroria ka potencuar se buxheti i Kosovës është dëmtuar mbi 600 mijë euro pasiqë përkundër faktit se pagesat janë realizuar, MINT si autoritet kontraktues ka pranuar vetëm 9.947.5 tonë grurë, pra 52.5 tonë më pak se sasia e kontraktuar, ndërsa vaji dhe sheqeri nuk janë sjellë fare.

Dosja e Prokurorisë për Ridvan Muharremin thotë si ai në periudhën kohore nga muaji shkurt 2022 e në vazhdimësi, me dashje dhe me qëllim të krijimit të kushteve dhe mundësive për realizimin e veprimeve inkriminuese për të pandehurit Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara (zyrtarë të MINT) i ka ndihmuar ata, duke i krijuar kushtet, propozuar dhe siguruar fillimisht për negocim per fumizim me rezerva shtetërore.

Prokuroria ka thënë në dosje se janë propozuar O.E. “Yafe Turizm Insaat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” me seli në Bursa të Turqisë për furnizim me grurë dhe “Xanto SP” ZO.O. In me seli në Gdynia, Poloni për furnizim me vaj luledielli dhe sheqer, e më pas përmes përfshirjes pa autorizim në procesin e negocimit në mes të pandehurve Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara me O.E.  ka luajtur rol kyç në negocimin e kushteve të kontratave.

“Ku si rezultat eshte lidhur Kontrata….për furnizim me rezerva shtetërore ne mes të Ministrisë se Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe O.E. “Yafe Turizm Insaat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” për blerjen e grurit, në sasi prej 10.000 tonë, dhe çmim prej 4.834.778 Euro, me të cilat kompani i pandehuri Ridvan Muharemi, edhe më parë ka pasur raporte kontraktuale dhe biznesore dhe Kontrata nr.1548-02 e datës 17.03.2022 me O.E. “Xanto SP ZO.O. In për furnizim me Vaj luledielli dhe sheqer, në sasi 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kg. sheqer, me çmim prej 276 mijë euro, shuma këto të paguara në tërësi në formë të avansit, mirëpo edhe përkundër faktit se pagesat janë realizuar, autoriteti kontraktues ka pranuar vetëm 9.947.5 tonë grurë, pra 52.5 tonë më pak se sasia e kontraktuar, ndërsa vaji dhe sheqeri nuk janë sjellë fare….” – thuhet në dosje.

Gjykata e Prishtinës u ka vendosur sot t’ua jap 30 ditë paraburgim tre të dyshuarve për keqpërdorim me rezarvat shtetërore.

Sipas njoftimit të Gjykatës së Prishtinës, caktimi i masës së paraburgimit për të pandehurit Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara është dhënë për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërkaq, paraburgimi për Ridvan Muharremin është dhënë për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës në kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në mëngjesin e 18 gushtit, me urdhër të Prokurorisë Speciale janë kryer arrestimet dhe bastisjet për disa orë në zyret e MINT dhe pronat e Ridvan Muharremit.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se gjatë bastisjes janë siguruar dhe sekuestruar prova materiale të cilat do të përdoren për procedurë të mëtutjeshme hetimore.

Bastisjet dhe arrestimet erdhën pas publikimit të audioincizimeve të medias ‘Nacionale’ për rezervat shtetërore.

Në anën tjetër, Mahmut Halimi, avokati i afaristit Ridvan Muharremi  ka treguar para mediave se cili ka qenë roli dhe angazhimi i Ridvan Muharremit.

Avokati Halimi ka treguar se si u angazhua Ridvan Muharremi nga Ministristria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

Sipas tij, Muharremi është angazhuar direkt nga Ministrja Rozeta Hajdari.

“E ka angazhuar ministria, drejtpërdrejtë ministrja Hajdari. E ka lut, e ka njoftë si person afarist që ka një traditë jashtëzakonisht të gjatë dhe ka një rrjet shumë të gjerë të miqve të vet afarist”- tha avokati para mediave.

Ai shpjegoi edhe kronoligjninë se si ka rrjedhur e gjithë procedura.

“Është matë sasia, kualiteti, parametrat e tjerë të nevojshëm, iu ka vendos bllompa, sasia domethënë kilogramët, edhe zotëria që e ka shitur atë mall, shitësi i mallit 10 mijë e 6 mijë tonelata, 6 tonelata i ka dhënë falas për Kosovë. Kaq ka mundësi dhe i ka dhënë falë, ka thirrë zotëri Ridvani auditorin e shtetit tonë, jo auditor privat por të shtetit i cili e ka konstatuar gjendjen edhe per sasi sa ka edhe për kualitetin edhe për të gjtiha parametrat e tjerë… (malli) është nisë për destinacion Kosovën, përmes portit të Durrësit…” – shpjegoi avokati.

Sipas avokatit, atë ditë që është kryer transaksioni dhe është ngarkuar malli për t’u nisur, Muharremi është kthyer në Prishtinë.

“Dhe drejt ka shkuar në Ministri ku i ka njoftuar se malli do të vije në portin e Durrësit edhe duhet që dikush të shkojë për ta bërë kontrollimin” – ka shtuar avokati.

Sipas avokatit, Muharremi e ka kryer misionin e tij me shpenzime të veta.

“Vlen të theksohet kjo” – ka shtuar ai kur ka treguar se kjo punë është kryer me shpenzimet e Muharremit.

Gjatë prononcimit të tij para mediave avokati u pyet edhe se cilat janë raportet e Muharremit me zyrtarët e Qeverisë Kurti.

“Janë mysafirë të cilët shkojnë në restoranin e tij. E ka një restoran modest në të cilin shërbehen ushqime tradicionale” – ishte përgjigja që e dha avokati.