Foto: Komuna e Malishevës, Ilustrim

Çka deklaroi në gjykatë pronari i lokalit në Malishevë në të cilin dyshohet se u helmuan dhjetëra persona

Me shenja të helmimit nga ushqimi të cilin e kishin ngrënë në një lokal “Fast& Food”, ishin lajmëruar të premten e javës së kaluar dhjetëra persona në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Komunën e Malishevës të cilët edhe kërkuan tretman mjekësor.

Gjendja alarmante që u krijua të premten gjatë ditës vuri në funksion edhe organet e rendit e të drejtësisë për të sqaruar situatën që çoi në tretman mjekësor mbi 100 persona.

KALLXO.com ka siguruar dosjen e prokurorisë për rastin e helmimit në Malishevë me ç’rast është arrestuar edhe pronari i lokalit ku u shërbye ushqimi.

Pronari i lokalit K. Sh., është arrestuar dhe është dërguar në paraburgim për 30 ditë nën dyshimin për kryerje të veprës penale prodhim dhe vënie në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimorë.

Ndonëse deklarata e tij ishte e shkurtë para gjyqtarit, në të cilën deklarim ai mbështeti atë çka tha avokati i tij, tutje shtoi se nëse i caktohet masa e arrestit shtëpiak premton se të njëjtën masë do ta respektonte.

K. Sh., ishte arrestuar mbrëmjen e 13 tetorit ndërsa masa e ndalimit i ishte caktuar në orën 22:30. Ai fillimisht ishte dërguar në ndalim për 48 orë ndërsa gjatë ditës së djeshme ka dalë në seancën për caktimin e masës së sigurisë, masë këtë të cilën e kërkoi Prokurori i Gjakovës, Qazim Xharra.

Prokurori Xharra në kërkesën për caktimin e masës së sigurisë kishte kërkuar që K. Sh., t’i caktohej masa e paraburgimit për 30 ditë në mënyrë që të zbardhej e gjithë situata dhe duke pretenduar se nëse i njëjti është në liri mund edhe të ndikoj në dëshmitarë, të dëmtuar por edhe duke pasur parasysh peshën e veprës penale.

Dosja e prokurorit Xharra thotë se i pandehuri në lokalin e tij në të cilin shërben ushqime të shpejta “Fast&Food” prodhoi dhe vuri në qarkullim artikuj ushqimor të mishit dhe produkteve të tij, soseve si dhe artikuj të tjerë, të cilat janë konsumuar nga mbi 100 të dëmtuar dhe si rezultat i këtij konsumimi të njëjtit janë helmuar për çka edhe kërkuan ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë dhe në Spitalin Rajonal në Prizren.

Madje sipas dosjes, disa nga të helmuarit kërkuan ndihmë mjekësore edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ndërsa si rezultat i helmimit, pacientët kanë pësuar dëmtime të rënda për shëndetin.

Në seancën për caktimin e masës së sigurisë, avokati i të pandehurit K. Sh., Emrush Kastrati ka kundërshtuar kërkesën e paraburgimit duke thënë se nuk ka dyshim të bazuar se klienti i tij ka kryer veprën penale të cilën pretendon prokurori Xharra.

“Kjo për faktin se në ditën kritike edhe më herët kur supozohet se e paska kryer këtë vepër penale, konsiderojmë se ka vetëm indice apo supozime të mundshme mes edhe vetë familja e tij, miqtë dhe i dyshimti janë ushqyer në atë lokal dhe nuk kanë pasur kurrfarë probleme shëndetësore”- ka thënë avokati Kastrati gjatë seancës.

Ai madje përmendi faktin se klienti i tij posedon edhe dy lokale në dy lokacione të tjera, në Fushë Kosovë dhe Prishtinë dhe se në këto dy lokale nuk ka pasur ndonjë person i cili është lajmëruar se ka pasur probleme nga ushqimi.

“Sido që të jetë në këtë drejtim rezulton se ankesat e të dëmtuarve pak a shumë mund të jenë edhe supozime se kërkesat e tyre për mbrojtje shëndetësore ka rezultuar nga ushqimi që kanë marrë në lokalin e të dyshuarit, për më tepër autoritetet e QKMF-së në Malishevë deklarojnë se në vazhdimësi ka ankesa e që kanë simptoma të njëjta por që nuk janë ushqyer në lokalin e të dyshuarit, e që ky element na tregon se dyshimi është vetëm si supozim fillestar”- shtoi avokati në seancë.

Gjatë seancës avokati përmendi faktin se edhe ai edhe klienti i tij shprehin keqardhje për situatën që ishte krijuar për të gjithë të helmuarit.

Avokati gjatë seancës kishte thënë se klientit të tij do të duhej t’i caktohej masa e arrestit shtëpiak nëse vlerëson gjykata një masë të tillë duke pasur parasysh se duhej pritur edhe raportet e sakta pas analizave që janë kryer në lokalin e të pandehurit.

Me të gjitha pretendimet e avokatit ishte pajtuar gjatë seancës edhe i pandehuri K. Sh.

“Pajtohem me të gjitha ato që i tha avokati im dhe shtoi se në qoftë se gjykata ma shqipton masën e arrestit shtëpiak unë premtoj publikisht se të njëjtën do ta respektoj”- kishte thënë gjatë seancës që u mbajt dje në Gjykatën e Gjakovës, i pandehuri K. Sh.

Në orët e pasdites dhe mbrëmjes së 13 tetorit dhjetëra persona kërkuan ndihmë mjekësore në QKMF në Malishevë dhe Spitalin Rajonal të Prizrenit nën dyshimin se ishin helmuar.

Situata e krijuar të premten mbrëma javën e kaluar, bëri që institucione të ndryshme të dilnin në terren për të parë dhe zbardhur rastin që ndodhi me problemet shëndetësore që u shfaqën te qytetarë të ndryshëm.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Malishevës, Hajdin Berisha të shtunën kishte reaguar duke kërkuar nga organet përgjegjëse që të zbardhin rastin që ndodhi atje.

Ai madje konfirmoi se kishin mobilizuar staf shtesë shëndetësor për shkak të numrit të madh të qytetarëve që kërkuan trajtim mjekësor.

Dosja e prokurorisë shpjegon se përveç të rriturve që shfaqën simptoma helmimi, në mes të tyre ishin edhe disa fëmijë.

Lokali në Malishevë është mbyllur nga autoritetet pas helmimit.