Mbledhja e Komisionit per Bujqesi - FOTO KALLXO

Projektligji për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja i dërgohet Kuvendit

Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, në mbledhjen e sotme e ka votuar në parim Projektligjin për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja dhe i njëjti do t’i dërgohet Kuvendit.

Anëtari i Komisionit, Salih Salihu (PSD), tha se projektligji në fjalë ka pasur nevojë të ndryshohet dhe se tashmë i plotëson kushtet për t’u dërguar në Kuvend.

“Ky projektligj i plotëson kushtet për me e dërgu në Kuvend dhe të votohet në parim. Ka pasur nevojë për ndryshime, pasi BE-ja ka ndryshuar shumë gjëra për ambientin, ndërsa legjislacioni ynë ka mbetur prapa”, tha Salihu.

Përkrahje për projektligjin ka ofruar edhe nënkryetarja e Komisionit, Besa Gaxherri, por shtoi se subjekti i saj politik LDK-ja, nuk do ta votojë për shkak se janë në bojkot.

Ndërsa, në mbledhje u vendos që të hënën e javës së ardhshme të realizohet vizita në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, nga të gjithë anëtarët e Komisioneve Parlamentare, propozim ky i dhënë nga deputetja Ganimete Musliu (PDK).

Komisioni për Bujqësi gjatë mbledhjes së sotme e ka kaluar edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Rregullimin e Shërbimeve të Ujit.

Komisioni e votoi edhe planin e punës për sesionin vjeshtor me të gjitha propozimet.

 

 

02 Tetor 2018 - 14:55

Emirjeta Vllahiu 02/10/2018 - 14:55
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend