Pallati i Drejtësisë

Mungesë e ajrit në Pallatin e Drejtësisë, KPK redukton punët e Prokurorisë së Apelit dhe Prokurorisë së Prishtinës

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka marrë vendim për reduktim esencial të aktiviteteve në Objektin C të Pallatit të Drejtësisë, aty ku janë të vendosura Prokuroria e Apelit dhe Prokuroria Themelore.

“Ky reduktim në këto dy prokurori vjen si rezultat i gjendjes së renduar në këtë objekt, si pasojë e mungesës së theksuar të oksigjenit dhe problemeve shëndetësore të shfaqura në baza ditore tek prokurorët dhe stafi mbështetës i këtyre dy prokurorive” – thuhet në njoftimin e KPK-së.

Me qëllim të realizimit të punëve emergjente, thotë KPK-ja, këto dy prokurori do të caktojnë prokurorë dhe staf administrativ për të kujdestaruar dhe realizuar vetëm veprimtaritë e natyrës urgjente dhe veprimet e caktuara sipas afateve ligjore.

Punëtorët në Pallatin e Drejtësisë vazhdimisht janë ankuar për probleme shëndetësore për shkak të mungesës së oksigjenit në objekt.

Me probleme shëndetësore që dyshohet se erdhën nga mungesa e oksigjenit u përball edhe kryeprokurori i Prishtinës, Kujtim Munishi.

“Po, mund t’iu konfirmojmë se i është përkeqësuar shëndeti dhe është dashur të intervenojë autoambulanca e qytetit, si pasojë e problemeve me funksionin e ajrosjes në objektin e Prokurorisë Themelore në Prishtine” – pat deklaruar zëdhënësja e KPK-së, Laureta Ulaj, për KALLXO.com, duke iu referuar rastit të kryeprokurorit.

KPK thotë se nuk mban përgjegjësi për gjendjen në objekt dhe me kohë ka kërkuar një zgjedhje për këtë problem.

“Ky objekt është nën menaxhimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme e cila është kompetente dhe përgjegjëse për ndërmarrjen e veprimeve të mëtutjeshme. Të gjendur para kësaj situate, i bëjmë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme që të implementojnë sa më shpejtë kontratën për hapjen e dritareve në këtë objekt” – thuhet në njoftimin e KPK-së. “Deri në realizimin e këtij projekti, prokuroritë e lartcekura do të punojnë sipas planit emergjent”- thuhet në njoftimin e KPK-së.

Këshilli Prokurorial i Kosovës,  thuhet më tej në njoftim, nuk do të mbajë përgjegjësi për kallëzimet penale dhe paditë civile eventuale që mund të paraqiten lidhur me pasojat shëndetësore të shkaktuara nga qëndrimi në këtë objekt.